Këtë Basha e ka bërë me dije gjatë vizitës në Berlin ku së bashku me deputeten Oriola Pampuri zhvilluan një takim me Stefan Kaufmann, raportuesin për Shqipërinë në Grupin e Punës për Çështjet Europiane të Bundestagut Gjerman.
Basha tha se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është nën presion, ndërsa e cilësoi korrupsionin, pastrimin e parave dhe varfërinë si sfidat kryesore që përballet Shqipëria.
“Diskutuam për situatën politike në vend, ku së fundmi po shohim një teatër të përsëritur që synon të legjitimojë një pazar të ri politik, si ai i disa muajve më parë, që kulmoi me amnistinë, ndryshimet në kodin zgjedhor dhe vendimin e Gjykatës së Apelit për legjitimitetin e PD-së nga e njëjta trupë gjyqësore, që në një rast të paprecedent, dënoi deputetin Ervin Salianji, duke treguar qartë se sistemi ynë i drejtësisë është nën presion dhe segmente të tij janë ende nën kontrollin politik të atyre që kanë drejtuar për 34 vjet vendin”, tha ai
Ai shprehu shqetësim për përpjekjet e kryeministrit Edi Rama, në bashkëpunim me disa opozitarë, për të shantazhuar dhe kontrolluar institucionet e drejtësisë, duke përmendur amnistinë si një rast të qartë të lirimit të zyrtarëve të korruptuar.
“Shpreha shqetësimin tim për përpjekjet e kryeministrit Edi Rama, në bashkëpunim me një pjesë të opozitës, për të shantazhuar dhe vendosur nën kontroll institucionet e drejtësisë, si SPAK. Një shembull i qartë i këtyre përpjekjeve ishte amnistia, e cila çoi në lirimin e zyrtarëve të korruptuar. Shqiptarët presin që, pas 33 vitesh demokraci, ti jepet fund pandëshkueshmërisë, dhe që të korruptuarit e të inkriminuarit të përballen me drejtësinë. Me qeverisjen e Edi Ramës, kriminelët dhe trafikantët janë veshur me pushtet, duke caktuar deputetë, drejtues policie dhe figura kyçe në institucione, siç kanë treguar përgjimet e prokurorisë së posaçme dhe ato të publikuara në media”, tha ai