Presidenti i vendit, Bajram Begaj ka zhvilluar një takim me presidentin italian në Siçili.
Begaj shprehet se ndjehet i nderuar për vizitën e tij në Itali, teksa nuk harron të kujtojë se kjo ishte vizita e tretë që zhvillonte me arbëreshët në Itali.
Më tej Begaj thotë se komuniteti arbëresh është një pasuri e jashtëzakonshme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Italinë.
Presidenti u shpreh se Siçilia, është simbol i një trashëgimie të vyer, që daton prej më shumë se pesë shekujsh, kur paraardhësit tuaj mbërritën këtu.
Fjala e plotë e Presidentit, Bajram Begaj:
Mirë se ju gjeta!
Jam i lumtur që në këtë mjedis arbëror të Siçilisë erdha me Presidentin e Italisë, mikun tim, Sergio Mattarella.
Është një nder dhe emocion i madh për mua të jem sot këtu mes jush. Kjo është vizita ime e tretë pranë arbëreshëve dhe e para në Siçili, në një tokë që mbart histori të lashta të miqësisë dhe lidhjeve të qëndrueshme midis dy popujve tanë.
Të jem mes jush në Piana degli Albanesi, teHora e t’Arbëreshërve, është një moment veçanërisht prekës, dhe këtë unë e preka sot në takimin që patëm në qytet.
Ky vend është simbol i një trashëgimie të vyer, që daton prej më shumë se pesë shekujsh, kur paraardhësit tuaj mbërritën këtu.
Ata patën mençurinë, guximin dhe dashurinë për atdheun dhe ruajtën gjuhën, kulturën dhe shpirtin shqiptar, ndërkohë që u integruan më së miri.
Marrëdhënia mes popullit arbëresh dhe Shqipërisë është më shumë se një gjenezë e përbashkët, ajo është një lidhje e zemrave dhe shpirtit, e një gjuhe, tradite e zakonesh që mbartin thelbin e të qenit shqiptar.
Komuniteti arbëresh është një pasuri e jashtëzakonshme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Italinë.
Në të gjendet fryma e bashkëjetesës, e integrimit të suksesshëm dhe e ruajtjes së identitetit etnik e kulturor në një botë gjithnjë e më të globalizuar.
Arbëreshët janë shembulli që tregon se mund të ruash me krenari traditat dhe rrënjët, ndërkohë që bëhesh pjesë aktive dhe kontributore e shoqërisë ku jeton.
Hora e Arbëreshëve, ky qytet simbolik për kulturën dhe trashëgiminë arbëreshe, është një thesar që dëshmon për forcën e kulturës dhe përkushtimin e një populli ndaj rrënjëve të tij.
Në këtë tokë kanë lindur njerëz të mëdhenj, që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë dhe të Italisë.
Ata kanë kontribuar si në Rilindjen dhe bashkimin e Italisë, ashtu edhe në Rilindjen e Shqipërisë dhe përpjekjet për pavarësinë e saj.
Emra të shquar, si: Lekë Matrënga, Gjergj Guxeta, Marko la Piana, Zef Skiroi, DhimitërKamarda, Lorenzo Peta, Xhuzepe Musakia, Nikola Barbato, Nilo Borgia e shumë të tjerë, (më falni nëse kam harruar dikë tjetër), janë tregues të ndikimit të këtij komuniteti të vogël, por të jashtëzakonshëm.
Ndër këta, dëshiroj të veçoj Francesco Crispinnga Pallazzo Adriano, dy herë Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm dhe i Brendshëm i Italisë.
Këtu, mes këtyre rrugëve dhe shtëpive, ndihet forca e traditës, qëndresa e identitetit dhe lidhja e thellë me tokën e të parëve tanë
Hora qëndron si kryeqendra e identitetit etniko-gjuhësor të arbëreshëve.
Ju, arbëreshët, keni qenë për më shumë se pesë shekuj një pjesë e rëndësishme e miqësisë historike mes Shqipërisë dhe Italisë, duke ndihmuar që vendet tona të qëndrojnë gjithnjë të lidhura.
Miqësia midis Shqipërisë dhe Italisë është më shumë se një marrëdhënie diplomatike, ajo është një lidhje e thellë, e përbashkët dhe shumë e qëndrueshme
Këto marrëdhënie kanë një thellësi bashkëpunimi që garanton qëndrueshmëri, parashikueshmëri dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Bashkëpunimi shtrihet në të gjitha fushat e aktivitetit politik, ekonomik, shoqëror e kulturor, të sigurisë dhe mbrojtjes si vende anëtare në NATO dhe, mbi të gjitha, të kontakteve dhe miqësisë mes njerëzve të thjeshtë.
Marrëdhënia jonë është natyrshëm dhe pa asnjë dyshim një marrëdhënie e nivelit strategjik, në nivelin e partneriteteve dhe aleancave që janë vetëpërcaktuar si të tilla prej historisë.
Këtu dëshiroj të shpreh falënderimet e mia të sinqerta për Presidentin e Italisë, Presidentin Mattarella.
Faleminderit, i dashur President, miku im dhe i shqiptarëve, për gjithçka që ju dhe vendi juaj keni bërë dhe vijoni të bëni për ne shqiptarët
Ne ju jemi mirënjohës për përkushtimin dhe dashurinë tuaj ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ne jemi krenarë për miqësinë që lidh dy kombet tona.
Në mbyllje, dëshiroj të theksoj se është detyrë e të gjithëve të kujdesemi për komunitetin arbëresh, për gjuhën tonë unike dhe traditat që na dallojnë.
Këto janë pasuri që duhen ruajtur dhe promovuar, sepse ato janë pjesë e shpirtit tonë të përbashkët shqiptar.
Duhet të punojmë së bashku për të krijuar mundësi që arbëreshët të vazhdojnë të jetojnë e të punojnë mirë, duke ruajtur traditat e tyre, por duke përfituar edhe nga moderniteti dhe zhvillimi.
I kemi të gjitha mundësitë që edhe brezi i ri, teksa përqafon modernen, të jetë krenar për rrënjët, për traditën e kulturën dhe, sidomos, për gjuhën arbëreshe.
Ruajtja e gjuhës arbëreshe është respekt ndaj të kaluarës dhe detyrë ndaj të ardhmes. Kjo është porosi e të parëve tanë!
Ruajeni atë sikundër e thotë edhe kënga juaj:
“Arbaresh’ këngë thoni,
Gjuhën e lartë të mos e harroni!”
Në fakt, unë e pash sot në shesh, kur fëmijët e Piana degli Albanesi kënduan himnin shqiptar, italian dhe këngë arbëreshe, kështu që vazhdoni ta kultivoni gjuhën arbëreshe!
Faleminderit të gjithëve për këtë mikpritje kaq të veçantë! Do të ngelet gjatë në histori dhe nëmemorien time!