Presidenti i SHBA-së Joe Biden me sa duket ka ndarë dyshimet e tij për fushatën e zëvendëspresidentes Kamala Harris me shefin e tij të vjetër Barack Obama, tha një lexues profesionist i buzëve për New York Post.
Biden dhe Obama u filmuan në shërbimin përkujtimor për Ethel Kennedy, gruaja e ish-senatorit amerikan Robert F. Kennedy, në Uashington të mërkurën. Kamerat nuk e kapën përmbajtjen e bisedës së tyre, ndaj NY Post punësoi një ekspert.
“Ajo nuk është aq e fortë sa unë,” tha Biden, sipas lexuesit të buzëve.
“E di… kjo është e vërtetë”, thuhet se u përgjigj Obama, duke shtuar, “Kemi kohë”.
“Po, besoj do arrijmë në kohë”, duket se është përgjigjur Biden.
Biseda u përkthye nga Jeremy Freeman, një ekspert mjekoligjor i leximit të buzëve me bazë në Londër. I lindur i shurdhër, Freeman ka shërbyer si ekspert i certifikuar i policisë dhe medias për 16 vjet.
Sipas transkriptit të Freeman, nuk përmendet me emër Harris, por është e paqartë se për kë tjetër mund të kenë diskutuar dy demokratët. Ai gjithashtu e përshkroi bisedën si “shumë mbështetëse” dhe tha se nuk zbuloi “asnjë tension” midis Obamës dhe Bidenit.
Zëdhënësi i Biden, Andrew Bates “u tall” me kërkesën e NY Post për koment, duke e pyetur median nëse “falltari i tyre i zakonshëm i krahut të djathtë” ishte pushim.
“Vetëm presidenti Biden dhe presidenti Obama e dinë se çfarë diskutuan, por sigurisht që nuk ishte ashtu,” këmbënguli Bates.
Një burim i paidentifikuar i afërt me Obamën tha gjithashtu se çështja ishte vetëm mes tij dhe Bidenit, duke shtuar se “çdo pohim i kundërt është qesharak”.
Një tjetër demokrat, gjithashtu anonim, komentoi se Harris “nuk ishte një alternativë e fortë ndaj Bidenit” dhe se partia tani “është e mbërthyer në një anije më pak të pëlqyeshme që fundoset”.