Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata i caktoi datën për seancën paraprake, Berisha: Do jenë avokatët ata që do vendosin nëse do paraqitem në seancë


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas pyetjeve mbi pjesëmarrjen e tij në seancën paraprake në Gjykatën e Posaçme më 24 tetor. Ai e akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumani, dhe prokurorët Arben Kraja e Enekeleda Millonai për mashtrim.

Berisha theksoi se aktakuza ndaj tij është e bazuar në manipulime, duke pretenduar se prokurorët kanë gënjyer lidhur me vendimet për letrat me vlerë dhe pronat e klubit Partizani. Ai akuzoi SPAK për qëllime politike dhe për shkelje të ligjit, duke shpjeguar se nuk i ka zbatuar masat e sigurisë pasi ato ishin antikushtetuese.

Sipas Berishës, avokatët e tij do të vendosin nëse do të paraqitet në seancë, duke theksuar se çdo akuzë e SPAK është e pavërtetë dhe e motivuar politikisht

“Duhet t’u bëj një sqarim qytetarëve në lidhje me këtë çështje. Në fletërrufënë, aktpadinë ndaj meje, mashtruesit publikë Dumani i pyetjes 1 mln euro dhe tre apartamenteve me rrogë shteti, Kraja i vilave dhe i të shkuarës xhelat i sigurimit të shtetit, simotra biologjike, ndrikulla e bandave Millonai, mashtruan, një nga mashtrimet e shumta se Sali Berisha siç ju kujtohet, vendimin për letrat me vlerë e anuloi pas 7 muajsh pasi e firmosi. Për ta lidhur këtë sikur gjoja ky vendim që kishte dalë një muaj pasi familjet pronare të klubit Partizani kishin paguar mbi 90% të shumës, mashtruan publikun për të thënë se ky pasi përfundoi problemi i klubit Partizani anuloi vendimin.

E vërteta është se 7 muaj pas këtij vendimi, ky vendim për sa i përket pronarëve, përdorimit të letrave me vlerë nga pronarët për të blerë objekte të ndërtuara në pronat e tyre nuk lëvizi asnjë germë. Mashtruan për të mos përdorur atë termin që meritojnë. Ajo pikë e vendimit u la siç ishte. U ndryshua vetëm një pikë, e cila përjashtonte përdorimin në ankand të letrave me vlerë.

Së dyti, ju jeni gazetarë dhe unë ju bëj thirrje të bëni një check up të seancës kur mercenarët e SKAP-it u paraqitën në komisionin e mandateve kur ata deklaruan se ne jemi këtu për zëvendësimin e masave të sigurisë, mbasi Berisha nuk zbatoi masat e para.

Unë nuk i zbatova sepse ishin antikushtetuese, antiligjore. Kurse tani deklarojnë të zënë ngushtë, mashtrojnë, jo thonë nuk shkuam vetëm për këtë, por edhe për këto.

Edhe për këtë avokatët gjykuan se duheshin paditur, në respekt të ligjit. Përsëri skapistët e hodhën poshtë, nuk hapën çështje penale.

Do të jenë avokatët ata që do vendosin mbi domosdoshmërinë e paraqitjes sime ose jo në seancën gjyqësore që ju diskutoni, kjo paraprake”.