Vendosni fjalën kyçe....

IDF-ja publikon videon e “çasteve të fundit” të kreut të Hamasit Sinwar


Ushtria izraelite ka publikuar një video me dron që pretendon se tregon vdekjen e liderit politik të Hamasit, Yahya Sinwar në Gazën jugore.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) njoftuan të enjten se Sinwar u vra në një vend të papërcaktuar. Zyrtarët në Jerusalemin Perëndimor festuan vdekjen e njeriut kyç për veprimtaritë ushtarake të grupit palestinez, përfshirë sulmet e 7 tetorit.

Të enjten në mbrëmje, zëdhënësi ndërkombëtar i IDF-së, nënkoloneli Nadav Shoshani postoi një video prej 48 sekondash në mediat sociale, duke e përshkruar atë si “çastet e fundit” të Sinwar.

Pamjet nga një dron tregojnë një shtëpi të bombarduar diku në Gaza, me një figurë të mbuluar brenda e ulur në një kolltuk.

Edhe pse Shoshani e përshkroi filmimin si “të papërpunuar”, videoja ndalon dhe e etiketon figurën e ulur si Sinwar, në një skicë të kuqe. Njëri nga krahët e burrit duket se është plagosur. Me krahun tjetër, burri hedh atë që duket të jetë një shkop ose një shpatë ndaj dronit. Objekti humbet, por videoja ndalon në atë pikë.

Sipas Jerusalem Post, njësitë e Brigadës 828 Bislach vranë Sinwar të mërkurën, në atë që u përshkrua si një “operacion i paplanifikuar” në lagjen Rafah të Tel Sultanit në Gazën jugore.

Udhëheqësi i Hamasit thuhet se u pa nga një dron vëzhgimi duke hyrë në një ndërtesë. Tanket hapën zjarr mbi ndërtesën dhe IDF dërgoi një dron për të kontrolluar objektivin. Pasi Sinwar sulmoi dronin, tanku qëlloi përsëri në ndërtesë.

Pamjet e rënda të asaj që dukej të ishte Sinëar, i varrosur nën rrënoja, bënë xhiron e mediave sociale të enjten. IDF konfirmoi identitetin e tij duke përputhur të dhënat dentare dhe gjurmët e gishtërinjve nga koha kur kreu i Hamasit ishte në burg. Mediat izraelite kanë raportuar se një nga gishtat e Sinwarit ishte prerë dhe çuar në laborator për identifikim më të shpejtë.

Një reporter i Channel 12 të Izraelit postoi foto të sendeve të gjetura në trupin e Sinwar. Midis tyre ishin karamele mente, para, një çakmak, një armë automatike kallashnikov dhe një kartë punonjësi për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinë (UNRWA).