Vendosni fjalën kyçe....

Lushnjë/ Gjurmonin dhe vidhnin pensionistët afër degëve postare, arrestohet 57-vjeçari, në kërkim një tjetër


Dy hajdutë pensionistësh janë proceduar penalisht nga Policia e Lushnjës, teksa një prej tyre u arrestua dhe tjetri u shpall në kërkim.

Policia vendore njoftoi sot (18 tetor) se finalizoi operacionin e koduar “Shpërqendrimi”, duke zbardhur 3 raste vjedhjesh. Në pranga ka rënë Genci Seferi, 57 vjeç, banues në Durrës, si dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi Ardian Gushta, 56 vjeç.

Të dyshuarit krijonin situata fiktive në rrugët në afërsi të degëve postare, për t’iu afruar pensionistëve dhe për t’iu vjedhur paratë e pensionit.

Sulmet e denoncuara janë kryer gjatë vitit 2024, në Fier, Lushnjë dhe Kavajë. Pas kallëzimeve të disa pensionistëve, uniformat blu nisën verifikimet dhe hetimet, duke arritur tek të dyshuarit.

“Vjedhjet kanë ndodhur në datat 29 shtator, 23 Prill dhe 15 Tetor, përkatësisht në lagjen nr. 5, Kavajë, në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, Lushnjë dhe në qytetin e Fierit, këta shtetas krijonin situata fiktive (pyetje të paqarta, përplasje të qëllimshme dhe skena të tjera të improvizuara), në rrugët në afërsi të degëve postare, pasi pensionistët merrnin pensionin, me qëllim që t’iu afroheshin atyre dhe t’iu vidhnin kuletat me para”, thanë burime zyrtare të policisë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një celular dhe një portofol me një shumë parash. Po punohet për lokalizimin dhe kapjen e 56-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Dosja i kaloi prokurorisë vendore për hetime të mëtejshme, për akuzën e “vjedhjes”, e kryer në bashkëpunim.