Kreu i grupit parlamentar të opozitës, Gazment Bardhi, e ka quajtur mashtrim një deklaratë të administratorit të OSHEE-së, Enea Karakaçit, të dhënë në Top Channel, i cili përgjatë bisedës në studio tha se në bursë bëhen vetëm blerje afatshkurtra.
“Është një operacion krejtësisht normal që ti të bësh blerje dhe shitje jashtë bursës. E lejon ligji, e lejojnë rregullat, madje madje, ka edhe elementë sigurie energjitike, sepse në bursë ti nuk bën blerje aftgjata, bën vetëm blerje afatshkurtra” – u shpreh Karakaçi.
Në statusin e vet, Bardhi jep një provë se se si në blerjen e natës së vitit të ri, është blerë jashtë bursës për 8 orë 2000 Mwh energji dhe grabitja vetëm për këto 8 orë rezulton të jetë 88 mijë e 960 euro.
Bardhi thotë se SPAK i ka të gjitha dokumentet dhe operacionet korruptive lidhur me këtë aferë.
Statusi i Bardhit
SPAK të administrojë intervistën e vartësit të Ballukut! Ministrja Balluku ka nxjerrë sot drejtorin e OSHEE-së për të ç’orientuar opinionin në lidhje me grabitjet që janë bërë prej saj me energjinë elektrike.
Ky zotëria që ka folur nuk ka lidhje direkte me transaksionet e shit-blerjes së energjisë. Ata që kanë heshtin!
Megjithatë, vartësi i Belinda Ballukut sot ka dhënë një dëshmi të cilën i kërkoj SPAK-ut ta administrojë, sepse ai deklaron se në bursë bëhen vetëm blerje afatshkurtra!
Ja ku po i jap një provë se si në blerjen e natës së vitit të ri, është blerë jashtë bursës për 8 orë 2000 Mwh energji dhe grabitja vetëm për këto 8 orë rezulton të jetë 88 mijë e 960 euro.
SPAK i ka të gjitha dokumentet dhe operacionet korruptive lidhur me këtë aferë. Janë kapur me presh në dorë si hajdutë ordinerë dhe nuk manipulojnë dot askënd me gënjeshtra!