Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar për përplasjet e fundit në Parlament, duke i cilësuar ato si një akt të rëndë kriminal dhe antiligjor. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka kthyer Shqipërinë në një narko-shtet, duke theksuar se “shteti ligjor ka rënë”.
Meta u shpreh se kërcënimet me armë dhe dhuna ndaj deputetëve të opozitës nga “NarkoPolicia” dhe “NarkoGarda” e Ramës janë prova e inkriminimit të strukturave shtetërore dhe rënies totale të shtetit ligjor. Ai theksoi se deputetët kanë imunitet dhe se nuk mund të kërcënohen apo ndëshkohen pa lejen e Gjykatës, ndërsa strukturat policore veprojnë në mënyrë të paligjshme.
Kreu i PL-së akuzoi kryetarën e Kuvendit dhe ministrin e Brendshëm për shpërdorim detyre dhe kërkoi përballje me këtë “juntë” që i drejton armën deputetëve.
Deklarata e Presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta:
Kërcënimi me armë zjarri, kanosja me jetë dhe dhuna brenda ambienteve të Kuvendit dje, ndaj deputetëve të opozitës nga NarkoPolicia dhe NarkoGarda e Edi Ramës është një akt shumë i rëndë kriminal dhe antiligjor, që provon para të gjithë shqiptarëve jo vetëm inkriminimin e këtyre strukturave, por edhe rënien totale dhe banale të shtetit ligjor.
Kjo ngjarje e paprecedent është një tjetër dëshmi publike e fytyrës kriminale të Narkoshtetit që jo vetëm burgos dhe përndjek politikisht opozitën, por edhe i kërcënon me jetë të zgjedhurit e popullit.
Deputeti ka imunitet dhe atij nuk i afrohet dot as Prokurori pa lejen e Gjykatës për ta arrestuar, ndërkohë krejt e kundërta ndodh me strukturat e NarkoPolicisë së Pushtetit që para kamerave dhe gazetarëve dhunojnë dhe kanosin deputetë me armë.
Demokracia, pluralizmi politik dhe shteti ligjor mbizotërojnë mbi disiplinën parlamentare ndaj Kryetarja e Kuvendit, dhe ministri i Brendshëm, dje botërisht kanë konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, duke urdhëruar Policinë të futet brenda perimetrit të Kuvendit dhe të konsumojë ato akte kriminale dhe skandaloze që i pamë të gjithë.
Përballë kësaj junte që i drejton armën deputetëve të opozitës në Kuvend, e cila përndjek dhe burgos politikisht Opozitën, e vetmja alternativë mbetet përballja dhëmb për dhëmb deri në përmbysje të këtij Regjimi!
Njëkohësisht kjo situatë është përkeqësuar kaq rëndë në Parlament, sepse Opozita ka rritur fuqinë e denoncimit ndaj korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës dhe pasojat e këtij korrupsioni skizofrenik të Edi Ramës dhe të çetës së tij I ndjen çdo familje shqiptare që nuk është e lidhur me Pushtetin dhe korrupsionin e tij.