Vendosni fjalën kyçe....

“180 milionë euro dëm me shitblerjen e energjisë” – PD kallëzon në SPAK ministren Belinda Balluku


Partia Demokratike ka kallëzuar  në SPAK ministren e Enegjisë Belinda Balluku lidhur me shiblerjen e energjisë.

Në një deklaratë për media, kreu i grupit parlamentar demokrat Bardhi tha se ministrja Balluku është përgjegjëse për abuzimin me shitblerjen e energjisë vitin e shkuar dhe këtë vit, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 180 milionë eurosh.

Bardhi tha se ministrja Balluku është kryetarja e skemës së abuzimit të bërë përmes 4-5 kompanive seksere duke shitur energjinë me lirë sesa shitej në bursë dhe duke e blerë më shtrenjtë se çmimi i tregtimit në bursë.

Ai tha gjithashtu se energjia është shitur jashtë burse në shkelje të ligjit duke qenë se në Shqipëri është themeluar Bursa e Energjisë dhe KESH e ka pasur detyrim ligjor tregtimin e energjisë përmes saj.

Bardhi theksoi se ka paraqitur në SPAK të gjithë dokumentet që sipas tij provojnë skemën e vjedhjes përmes shitblerjes së energjisë dhe i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë me shpejtësi, seriozitet dhe transparencë kallëzimin ndaj ministres Balluku dhe drejtorëve të institucionevenën varësinë e saj.

“Për zbatimin e kësaj skeme korruptive që vjedh buxhetin dhe kalon miliona euro në llogaritë e katër kompanive private është Belinda Balluku. Në dosjen që PD-ja i ka dorëzuar SPAK shpjegohen me detaje veprimet dhe mosveprimet e ministres Belinda Balluku që ka lejuar që energjia elektrike të shitet me humbje jashtë tegut të Bursës së Energjisë në kundërshtim me ligjet në fuqi duke vjedhur qytetarët në Shqipëri, me vendosjen në funksion të Bursës së Energjisë në Shqipëri, KESH duhet ta tregonte në bursë energjinë. Raportet e Entit të Energjisë provojnë se KESH ka shkelur ligjin vjet dhje sivjet pasi nuk e ka tregtuar në bursë pp e ka blerë shtrenjë dhe shitur lirë te kompanitë seksere. Vitin e kaluar KESH ka blerë 561 megavat orë me çmim më të lartë se ai që shitej në bursë. Vetëm nga ky transkasion është bërë dëm 6 milionë euro në buxhet vetëm në këtë segment të këtij opercioni të paligjshëm. Pa miratimin e Belinda Ballukut,  shitja e energjisë jashtë burse dhe abuzimi do ishte i pamundur. Balluku nuk ka marrë asnjë masë për të ndaluar praktikën e paligjshme të shitjes së energjisë me një dëm prej 16 milionë eurosh dëm për buxhetin. PD i kërkon SPAK që menjëherë të kontraktojë ekpertë të pavarur të energjisë dhe ku del se vetëm  për një javë për blerjen e enrgjisë 24-30 qershor abuzimi shkon 1 milion euro. Vetëm për vitin 2023 nga përllogaritja del se bëhet fjalë për 180 milionë euro dëm buxhetit të shtetit.” – tha ndër të tjera Bardhi.

Deklarata e plotë e Bardhit

Jam sot këtu para jush për të denoncuar publikisht dhe, më pas, për t’i kërkuar SPAK-ut hetimin e një prej skemave më korruptive të kësaj qeverie, shitblerjen e paligjshme të energjisë elektrike me një abuzim që vetëm për 1 vit, llogaritet në mbi 180 milionë euro. Përgjegjësja kryesore për zbatimin e kësaj skeme korruptive që vjedh buxhetin e shtetit dhe kalon miliona euro në llogaritë e 4-5 kompanive private është Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku.

 Në informacionin që grupi parlamentar i Partisë Denokratike i ka vënë në dispozicion Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, shpjegohen me detaje dhe paraqite me dokumente të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Belinda Ballukut, e cila ka lejuar që energjia elektrike të shitet me humbje jashtë tregut të Bursës, në kundërshtim me ligjin dhe vendimet në fuqi, duke vjedhur hapur qytetarët shqiptarë.

Me vendosjen në funksion të Bursës shqiptare të Energjisë vitin e kaluar, Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare kishte detyrimin ligjor të tregtonte në bursë energjinë e pakontraktuar, por kjo nuk ka ndodhur. Raportet e Entit të Energjisë provojnë se KESH ka shkelur ligjin vitin e kaluar dhe deri në këtë moment që flasim, pasi nuk e ka nxjerrë energjinë e pa kontraktuar në Bursë, por e ka blerë shtrenjtë dhe e ka shitur lirë tek kompani private seksese të shitblerjes së energjisë elektrike.

Për të folur më konkretisht me disa shifra, por pa hyrë në detaje shumë teknike, në mënyrë që skema korruptive të kuptohet sa më qartë.

Vitin e kaluar, KESH ka deklaruar se ka blerë jashtë bursës rreth 561 mijë megavat orë me çmim më të lartë sesa shitej në bursë. Llogaritjet zbulojnë një dëm prej rreth 6 milionë euro për buxhetin e shtetit vetëm nga ky operacion i paligjshëm, që ble jashtë bursës energji më të shtrenjtë tek klientët e vjetër dhe të rinj të KESH-it.

Ka edhe një operacion tjetër nga KESH-i që ka çuar më tej skemën skandaloze të abuzimit me paratë publike. KESH-i jo vetëm ka blerë shtrenjtë jashtë bursës, por edhe ka shitur lirë po jashtë bursës, megjithëse ligji ia ndalon tregtimin jashtë bursës shqiptare të energjisë.  Vetëm për vitin 2023, KESH ka shitur jashtë bursës rreth 640 mijë megavat orë energji. Duke qenë se ka shitur më lirë se çmimi mesatar në bursë, dëmi llogaritet në rreth 10 milionë euro.

 Cili është roli i Belinda Ballukut në këtë aferë abuzimi prej miliona eurosh?

Ministrja e Energjisë është Kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të KESH-it, personi përgjegjës që firmos për shpenzimet dhe bilancet e kompanisë. Pa miratimin e Belinda Ballukut, skema okulte e shitblerjes së energjisë jashtë bursës dhe abuzimi me miliona euro do të ishte ndalur. Ministrja e Energjisë, si kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të KESH-it nuk ka marrë asnjë masë për të ndaluar praktikën e paligjshme të shitblerjes së energjisë jashtë bursës, me një dëm të frikshëm prej gati 16 milionë euro vetëm për periudhën e analizuar nga ana jonë.

Por skema korruptive me shitblerjen e paligjshme të energjisë elektrike jashtë bursës në përfitim të pak kompanive private nuk përfundon këtu. Kjo është vetëm maja e ajsbergut.

Nga verifikimet e bëra prej ekspertëve tanë, KESH ka falsifikuar të dhënat e dorëzuar tek Enti i Energjisë, për të fshehur tregtinë e paligjshme që ka bërë me energjinë, e cila shitet me çmime të ndryshme për fasha të ndryshme orari. Këto fasha orari energjie të tregtuara jashtë bursës, KESH nuk i ka raportuar, sepse, kur të dhënat kryqëzohen, rezulton se kompania shtetërore e energjisë nuk ka mbrojtur interesin publik për të rritur fitimet apo minimizuar humbjet, por ka vepruar në interes të kompanive private për rritjen e fitimit të tyre.

Belinda Balluku, e cila kontrollon çdo strukturë që ka lidhje me shitblerjen,  transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë, që nga KESH, OST, OSHEE nuk mund të bëjë të paditurën! Ministrja e Energjisë ka firmosur për bilancet e rreme dhe të falsifikuara të KESH-it.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i kërkon SPAK-ut që të kontraktojë ekspertë të pavarur të energjisë për të shqyrtuar provat e plota të vëna në dispozicion prej nesh dhe ku rezulton që vetëm për një procedurë për blerjen e energjisë në datat 24-30 qershor abuzimi shkon në rreth 1 milion euro për 1 javë.

Nën drejtimin e Belinda Ballukut, energjia elektrike është trajtuar si një mall për të pasuruar një grusht kompanish private dhe për të varfëruar njerëzit e zakonshëm. Në informacionin që kemi përgatitur për SPAK-un, kemi vendosur në dispozicion dokumente që faktojnë se KESH ka blerë energji elektrike edhe atëherë, kur Shqipëria kishte tepricë prodhimi disa muaj më parë. Nga këto transaksione abuzive ekspertët tanë kanë llogaritur një dëm tjetër rreth 22 milionë euro. Këto para mund t’i ishin kursyer Buxhetit të Shtetit, nëse Ministrja e Energjisë do të zbatonte ligjin dhe nuk do të lejonte skemën tjetër korruptive të blerjes shtrenjtë të së energjisë edhe në kohë mbiprodhimi.

 Ky është një nga skandalet më të mëdha të tregut të energjisë në Shqipërisë, që shtrihet edhe në manipulimin për humbjet në rrjetin e energjisë. Nga përllogaritjet e ekspertëve rezulton se humbjet faktike janë në nivelin 27.2% për tensionin e ulët dhe 1.3% për tensionin e lartë, duke sjellë, vetëm për vitin 2023, një vlerë totale të humbjeve prej 144 milionë eurosh. Një dëm i jashtëzakonshëm ky, të cilin e paguajnë çdo ditë qytetarët përmes çmimit të lartë të energjisë elektrike.

Me raportimin e të dhënave të pasakta për të fshehur abuzimin dhe keqmenaxhimin e rrjetit të energjisë, me tregtimin e paligjshëm jashtë bursës të energjisë elektrike, me mosmarrjen e masave për të parandaluar shkeljen e ligjit dhe këtë skemë gjigante korruptive, Belinda Balluku dhe të gjithë drejtorët e saj kryesorë në fushën e energjisë kanë sjellë një dëm vetëm për vitin 2023 prej mbi 180 milionë euro.

Ne kërkojmë nga SPAK-u një hetim të shpejtë dhe profesional për një shkelje kaq masive të ligjit dhe për një abuzim kaq të madh me paratë e shqiptarëve. Vendosja para drejtësisë e përgjegjësve kryesorë, duke nisur me Ministren e Enërgjisë, njëkohësisht zëvendëskryeministre do të konsiderohej edhe si një provë nga SPAK që në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm.

Ndëshkimi i autorëve të skemës që u vjedh shqiptarëve vetëm në një vit, vetëm nga disa transaksione të shitblerjes së energjisë 180 milionë euro, nuk është një çështje politike! Kjo i përket çdo shqiptari që paguan energjinë elektrike më shtrenjtë, sepse kjo qeveri dhe Belinda Balluku i vjedh!