Vendosni fjalën kyçe....

Piranjat: Botoksi kontrabandë në Tiranë shitet sheshit dhe injektohet nga persona jokompetentë


Mbrëmjen e sotme në emisionin satiro-investigativ Piranjat” në Syri TV u trajtua çështja e botoksit kontrabandë dhe injektimi i tij në klinikat estetike nga persona jo-kompetentë.

Investigimi i emisionit ”Piranjat” tregon jo vetëm stomatologë, infermierë e parukierë që kryejnë injektime filler e botoks, trajnime që nisin e mbarojnë brenda 3 ditëve duke paguar mijëra euro, certifikata të pavlefshme të dhëna nga administratorët e klinikave, por mënyrën se si futet ky bar në vendin tonë, në një kohë kur nuk është i licensuar për aplikim dhe tregtim.

Persona të implikuar në këtë tregti të paligjshme nga e cila përfitohen shuma të mëdha parash, të cilët ditën për diell në mes të kryeqytetit, nuk e kanë aspak problem të të shesin botoks, të paruajtur në kushtet e duhura fizike, higjienike dhe atmosferike. Mjafton të bësh porosinë, të paguash e të marrësh mallin.

Kontrabanda e botoksit është prezente sepse përpos faktit që nuk është i licensuar, por ndërkohë ka kërkesa të mëdha, ka dhe një arsye tjetër. Kompanitë e mëdha të prodhimit të produktit botoks, e shohin vendin tone si një treg të vogël dhe të pa përfillshëm për t’u mbuluar, gjë që stimulon masivisht kontrabandën. Dhe kjo e fundit, ka ndodhur gjatë gjithë kohës në këtë dhjetëvjeçar, nën hundën e institucioneve përgjegjëse siç është Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Sektori i Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, institucion në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Pas kërkesave të njëpasnjëshme për informacion të dërguara nga Piranjat në institucionet e sipërpërmendura, më datë 15 tetor 2024, Policia e Tiranës kreu një aksion blic në 30 klinika estetike të Tiranës, ku konstatoi botoks kontrabandë, aksion që përfundoi me disa persona të ndaluar e disa të tjerë të shpallur në kërkim.