Vendosni fjalën kyçe....

Policia kallëzon në SPAK shtatë deputetë të PD-së


Policia ka kallëzuar në SPAK shtatë deputetë të PD-së lidhur me përplasjet ditën e djeshme në oborrin e Kuvendit dhe brenda sallës.

Ndaj deputetes së PD-së janë ngritur dy akuza, “kanosje” dhe “shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese” ndërsa ndaj Gazment Bardhit, Flamur Nokës, Bledjon Nallbatit, Dashnor Sulës, Luan Baçit e Saimir Korreshit është ngritur akuza e kundërshtimit të policisë.

Njoftimi

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në lidhje me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme, në vijim të veprimeve hetimore të kryera ka referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në gjendje të lirë për shtetasit:

– Elda Hoti, 32 vjeçe, për veprën penale “Kanosja” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”;

– Flamur Noka, 53 vjeç, Bledjon Nallbati, 38 vjeç, Gazment Bardhi, 39 vjeç, Dashnor Sula, 55 vjeç, Luan Baçi, 61 vjeç, dhe Saimir Korreshi, 43 vjeç, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ditën e djeshme, në ambientet e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, shtetasja E. H., ka hedhur në drejtim të deputetëve një lëndë të lëngshme të paidentifikuar, ndërsa në hyrje të godinës së Kuvendit të Shqipërisë, shtetasit F. N., B. N., G. B., D. S., L. B., dhe S. K., kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë të planëzuar me shërbim. Materialet i kaluan Prokurorisë.”