Vendosni fjalën kyçe....

Seuli thotë se trupat koreano-veriore kanë arritur në Rusi për të luftuar kundër Ukrainës


Agjencia e inteligjencës së Koresë së Jugut ka raportuar të premten se Koreja e Veriut ka dërguar trupa për të ndihmuar Rusinë në luftën kundër Ukrainës, një zhvillim që mund të intensifikojë tensionet midis Koresë së Veriut dhe Perëndimit.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës (NIS) të Koresë së Jugut, midis datave 8 dhe 13 tetor, anijet e marinës ruse transferuan 1,500 forca speciale të Koresë së Veriut në qytetin portual të Vladivostokut, ku ata janë duke u trajnuar.

“Ushtarët koreano-veriorë pritet të dislokohen në vijat e para të frontit sapo të përfundojnë trajnimin e tyre adaptues,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se priten të dërgohen edhe më shumë trupa nga Koreja e Veriut, përcjell The Guardian.

Agjencia e inteligjencës tha gjithashtu se ushtarët koreano-veriorë janë pajisur me uniforma dhe armë të prodhuara në Rusi dhe kanë marrë karta identiteti të falsifikuara të banorëve të rajoneve të Yakutia dhe Buryatia në Siberi, me qëllim që të maskohen si ushtarë rusë në fushëbetejë.

NIS gjithashtu publikoi fotografi satelitore që tregojnë lëvizjet e anijeve të marinës ruse pranë një porti koreano-verior dhe grumbullime masive të dyshuara në qytetet ruse të Lindjes së Largët, Ussuriysk dhe Khabarovsk.

 

Përfshirja e Kore së Veriut në Luftë

Nëse raportet konfirmohen, kjo do të shënonte përfshirjen e parë të madhe të Koresë së Veriut në një luftë të huaj. Mediat koreano-jugore raportuan gjithashtu se Koreja e Veriut planifikon të dërgojë gjithsej 12,000 trupa në Rusi, ndarë në katër brigada, megjithëse kjo nuk është konfirmuar nga NIS.

Këto deklarata vijnë pas komenteve të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili paralajmëroi se rreth 10,000 ushtarë koreano-veriorë po përgatiten të hyjnë në luftë. Zelenskyy tha: “Ky është hapi i parë drejt një lufte botërore.”

 

Mohimet dhe Bashkëpunimi Rusi-Koreja e Veriut

Rusia ka mohuar raportet për përdorimin e trupave koreano-veriorë, ndërsa NATO ka thënë se ende nuk mund të konfirmojë këtë informacion. Megjithatë, ka pasur raporte se inxhinierët ushtarakë koreano-veriorë janë dislokuar për të ndihmuar Rusinë në sulmet me raketa balistike kundër Ukrainës.

Koreja e Veriut dhe Rusia kanë intensifikuar bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik, për të përballuar izolimin ndërkombëtar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe programit të armëve bërthamore të Koresë së Veriut.