Policia italiane ka arrestuar 35-vjeçarin Klajdi Merkaj, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK. Arrestimi i tij erdhi si rezultat i operacionit të koduar “Para drejtësisë”.
Sipas njoftimit të policisë, informacione të siguruara nga strukturat e Policisë së Shtetit për vendndodhjen e Merkajt u shkëmbyen në kohë reale me autoritetet italiane, të cilat e lokalizuan dhe e arrestuan atë.
Merkaj kërkohej për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, për të cilën Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” më datë 29.07.2024.
Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për të realizuar ekstradimin e Merkajt në Shqipëri.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme me partnerët për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar
Lokalizohet dhe kapet në Itali, një shtetas i akuzuar nga SPAK.
Si rezultat i sigurimit të informacionit nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e një të kërkuari për llogari të SPAK, dhe shkëmbimit të këtij informacioni, në kohë reale, me partnerët në Itali, në kuadër të operacionit të koduar “Para drejtësisë”, Policia Italiane arrestoi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasin K. M., 35 vjeç.
Ai kërkohej ndërkombëtarisht, sepse më datë 29.07.2024, GjKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Romën, për të kryer ekstradimin e shtetasit K. M., në Shqipëri.