Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, shtëpia e pushimeve e të cilit në veriun e Izraelit u godit nga një dron, deklaroi se “asgjë nuk do të na ndalojë” dhe se Izraeli do të vazhdojë deri në fitore.
Sulmi ndodhi të shtunën, ndërkohë që ushtria izraelite vijon operacionet në Gaza dhe Liban. Netanyahu, 74 vjeç, nuk ndodhej në zonë në momentin e sulmit, sipas zëdhënësit të tij.
Droni, i cili dyshohet të jetë lëshuar nga Libani, goditi një ndërtesë të panjohur në pronën e kryeministrit në qytetin e pushimeve në Caesarea. Fatmirësisht, nuk pati viktima.
Sulmi erdhi vetëm disa ditë pas vrasjes së liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, nga forcat izraelite, përcjell NY Post.
Sipas burimeve zyrtare izraelite, Irani është i dyshuar për përpjekjen për të eliminuar kryeministrin e Izraelit, megjithëse asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë e menjëhershme për sulmin.
Hezbollah, grupi militant libanez, ka lansuar raketa dhe dronë drejt Izraelit për më shumë se një vit dhe mbi 100 raketa dhe dronë u lëshuan nga kufiri libanez të shtunën.
Netanyahu reagoi pas sulmit me një video-mesazh, duke theksuar se “asgjë nuk do të na ndalojë” dhe se “Izraeli do ta fitojë këtë luftë”.
Forcat izraelite gjithashtu ndërprenë dy dronë të tjerë që u përpoqën të hyjnë në territorin izraelit.