Vendosni fjalën kyçe....

Trump thotë se Kina e respekton sepse Xi e di që ai është ‘i çmendur’


Donald Trump ka deklaruar se, nëse do të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, Kina nuk do të guxonte ta provokonte, sepse presidenti kinez Xi Jinping e di që ai është “i çmendur.”

Në një intervistë me bordin editorial të *Wall Street Journal*, Trump tha se nëse zgjidhet president muajin e ardhshëm, ai do të vendoste tarifa mbi Kinën në rast se ajo përpiqet të bllokojë Tajvanin, përcjell BBC.

“Do t’u thosha: nëse hyni në Tajvan, më vjen keq që duhet ta bëj këtë, por do t’ju vendos një taksë prej 150% deri 200%,” tha ai.

Trump argumentoi se kundërshtarët e Amerikës nuk do të vepronin kundër interesave të SHBA-së gjatë një presidencë të tij të re, sepse do të kishin frikë nga një përgjigje e fuqishme dhe e paparashikueshme.

Ai pohoi gjithashtu se nuk do të kishte nevojë të përdorte forcën ushtarake për të parandaluar një bllokadë të Tajvanit, sepse presidenti Xi “më respekton dhe e di që jam “i çmendur.”

Trump gjithashtu përmendi marrëdhëniet e tij me presidentin rus Vladimir Putin në një dritë pozitive, duke thënë: “Unë shkoja shumë mirë me të.”

Ai pretendoi se e kishte kërcënuar Putinin që të mos pushtonte Ukrainën.

Trup tha se i ka thënë Putinit: “Do të të godas direkt në mes të Moskës.” Pastaj, duke e përshkruar këtë si një bisedë mes “miqsh”, Trump shton se i ka thënë Putinit: “Jemi miq. Nuk dua ta bëj, por nuk kam zgjidhje tjetër.” Kur Putin ka shprehur dyshim, Trump i ka thënë: “Do të të godasë aq fort, saqë do t’i heq ato kupola nga koka jote.”

Kupolat për të cilat flet Trump ka gjasa që i referohen ndërtesave të rëndësishme në Moskë.Ish-presidenti ka promovuar politikën e tij të jashtme si “America First” (Amerika e Para), por kritikët e tij e përshkruajnë atë si izolacioniste.