Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i Jurgis Çyrbjes, SPAK deklaratë zyrtare, tre akuzat që rëndojnë mbi ish-deputetin


SPAK ka dhënë deklaratë zyrtare lidhur me arrestimin e ish-deputetit të PS-së, Jurgis Çyrbja mbrëmjen e sotme.

Sipas prokurorisë speciale, ndaj Ccyrbjes janë ngritur tre akuza, “korrupsion aktiv në zgjedhje”, “përkrahja e autorit të krimit” dhe “tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”

“Nisur nga interesi i madh i mediave ju komunikojmë se Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot masen e sigurimit arrest ne burg të caktuar nga Gjykata e Posacme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuat ndaj shtetasit Jurgis Cyrbja, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni altiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal. Nesër do të ketë një njoftim për shtyp me më shumë detaje”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Arrestimi është kryer në Durrës, teksa Çyrbja ishte duke udhëtuar me makinë me shoferin e tij.

Dyshohet se arrestimi ka lidhje me një tjetër çështje dhe jo me atë të denoncimit nga deputeti demokrat Edi Paloka.

Ish-ligjvënësi akuzohet edhe për kohën kur ka drejtuar Hipotekën e Durrësit, deputet i të cilës u zgjodh më pas.

Ai dyshohet se ka pasur lidhje me një grup kriminal në Durrës dhe se ka komunikuar në platformën e koduar SKY ECC me grupin në fjalë.

Jurgis Çyrbja është zgjedhur për herë të parë deputet i PS-së në zgjedhjet e vitit 2017. Megjithatë ai ka shërbyer si deputet që nga viti 2015 pasi zëvendësoi Blendi Klosin që u emërua ministër në qeverinë Rama 1.