Ish-deputeti i PS-së Jurgis Çyrbja është arrestuar me urdhër të SPAK.
Çyrbja u mor i pandehur zyrtarisht nga SPAK për shpërdorim detyre.
Gjithashtu janë kryer disa arrestime të tjera dhe aksioni është në proces. Arrestimi është kryer në Durrës, teksa Çyrbja ishte duke udhëtuar me makinë me shoferin e tij.
Dyshohet se arrestimi ka lidhje me një tjetër çështje dhe jo me atë të denoncimit nga deputeti demokrat Edi Paloka. Ish-ligjvënësi akuzohet edhe për kohën kur ka drejtuar Hipotekën e Durrësit, deputet i të cilës u zgjodh më pas.
Ai dyshohet se ka pasur lidhje me një grup kriminal në Durrës dhe se ka komunikuar në platformën e koduar SKY ECC me grupin në fjalë
Ish-deputeti i PS-së do të përballet në gjykatë me akuzën për “shpërdorim detyre” në kohën kur ishte drejtor i Hipotekës Durrës të bërë nga PD-ja, çështje veçmas nga ccështja për të cilën u arrestua mbrëmjen e sotme.
Rreth dy javë më parë ai dorëzoi mandatin e deputetit pasi u thirr në SPAK ndërsa në një reagim të parë deklaronte se dorëzimi i mandatit kishte të bënte me shkaqe shëndetësore.
“Kam nevojë për kohë. Do të kujdesem për shëndetin tim. Nuk kam asnjë shqetësim të natyrës ligjore. Dorëheqja nuk lidhet me thirrjen në SPAK. Ishte një vendim që e mora në vlerësim të situatës sime personale”, deklaronte Çyrbja.
Jurgis Çyrbja është zgjedhur për herë të parë deputet i PS-së në zgjedhjet e vitit 2017. Megjithatë ai ka shërbyer si deputet që nga viti 2015 pasi zëvendësoi Blendi Klosin që u emërua ministër në qeverinë Rama 1.