Vendosni fjalën kyçe....

Britania e Gjermania “bashkojnë forcat”, nënshkruajnë marrëveshjen ushtarake


Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania do nënshkruajnë një marrëveshje dypalëshe të mbrojtjes këtë javë, duke i hapur rrugën të dy vendeve për të shtuar stërvitjet ushtarake pranë kufijve të Rusisë, ka raportuar The Sunday Times.

Sipas kushteve të marrëveshjes, Britania dhe Gjermania do bashkëpunojnë për prokurimin dhe zhvillimin e armëve, me marrëveshjen që do shërbejë si “hapi i parë” për një marrëveshje më të madhe midis Britanisë dhe BE-së vitin e ardhshëm, raportoi gazeta britanike.

Pakti “pritet t’u mundësojë forcave britanike dhe gjermane të kryejnë stërvitje të përbashkëta ushtarake në kufirin lindor të NATO-s me Rusinë, me shumë mundësi në Estoni dhe Lituani,” vuri në dukje The Times, pa ofruar shpjegime të mëtejshme.

Britania dhe Gjermania tashmë marrin pjesë në stërvitjet e NATO-s, të tilla si stërvitjet e këtij viti “Steadfast Defender”. I kryer pranë kufijve perëndimorë të Rusisë, “Mbrojtësi i palëkundur” përfshiu 90,000 trupa nga të 32 shtetet e NATO-s dhe u perceptua si përgatitje e hapur për “një përplasje të mundshme të armatosur me Rusinë”.

Përveç këtyre stërvitjeve shumëpalëshe, Gjermania tashmë merr pjesë në stërvitje dypalëshe në shkallë më të vogël, të tilla si stërvitjet “Grand Quadriga” të Gjermanisë me Lituaninë në fillim të këtij viti dhe manovrat e saj “Tigri Baltik” me Estoninë në 2022. Shkrimi  i Times sugjeron që Britania mund t’i bashkohet këtyre ushtrimeve sapo të nënshkruhet marrëveshja e re.