Luftimet u ndezën në dy fronte të dielën, ndërsa Izraeli vuri në shënjestër atë që tha se ishte “qendra komanduese” e Hezbollahut në kryeqytetin libanez.
Ndërkohë në Gazë autoritetet njoftuan se 73 persona ishin vrarë si pasojë e një sulmi të vetëm ajror izraelit.
Sulmet në bastionin jugor të Hezbollahut, Bejrut, vijnë ndërsa Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi grupin e mbështetur nga Irani se tentoi ta vriste, duke iu referuar sulmit një ditë më parë me dron ndaj shtëpisë së tij.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit, NNA, tha se Izraeli goditi një ndërtesë banimi në Haret Hreik, që ndodhet pranë një xhamie dhe një spitali.
Ushtria izraelite tha se kishte goditur një “qendër komanduese të Hezbollahut që përdorej për mbledhjen e informacionit të zbulimit” si dhe një vendndodhje nëntokësore armatimesh.
Zyrtarët izraelitë thanë gjithashtu se tre militantë të Hezbollahut ishin vrarë gjatë sulmeve në pjesë të tjera të Libanit.
Më vonë gjatë ditës rreth 70 predha u lëshuan nga territori libanez në drejtim të Izraelit, disa prej të cilave u interceptuan.
Ndërkohë, Agjencia e Mbrojtjes Civile në Gazë tha se si pasojë e një sulmi ajror izraelit në një zonë të banuar në veri të rajonit, u vranë të paktën 73 palestinezë.