Vendosni fjalën kyçe....

Mbrojti Kartelin Sinaloa, dënohet me 38-vjet burg në SHBA zyrtari më i lartë meksikan


“Pas vitesh narkotrafiku dhe mashtrimi, Garcia Luna do kalojë gati 40 vjet aty ku i takon: burgun federal”.

“Dënimi i sotëm i Genaro Garcia Luna është një hap jetik në ruajtjen e drejtësisë dhe shtetit të së drejtës. Tradhtia e tij ndaj besimit publik dhe njerëzve që ai ishte betuar se do t’i mbronte, çoi në më shumë se një milion kilogramë kokainë vdekjeprurëse të importuar në komunitetet tona dhe shkaktoi dhunë të patreguar këtu dhe në Meksikë. Ky dënim dërgon një mesazh të fortë se askush, pavarësisht pozicionit apo ndikimit të tij, nuk është mbi ligjin.” – prokurorja e Shteteve të Bashkuara.

Shefja e DEA-s Anne Milgram deklaroi se “Garcia Luna pranoi miliona dollarë ryshfet nga Karteli Sinaloa për të lejuar që miliona kilogramë kokainë të vërshonin rrugëve të Shteteve të Bashkuara. Në vend që të mbronte qytetarët e Meksikës, Garcia Luna po mbronte kartelet e drogës”.

“Dënimi i sotëm dërgon një mesazh të fuqishëm se askush nuk është mbi ligjin,” tha drejtoresha Ekzekutive e HSI (Homeland Security Investigations), Katrina W. Berger.

“HSI vijon angazhimin e saj të partneritetit për të shkatërruar dhe çmontuar rrjetet kriminale përgjegjëse për sjelljen e lëndëve narkotike vdekjeprurëse në SHBA.”

Ryshfet nga Karteli Sinaloa

Nga viti 2006 deri në 2012, Genaro Garcia Luna ishte zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në Meksikë, duke shërbyer si Sekretar i Sigurisë Publike dhe në këtë cilësi, kontrollonte Forcën e Policisë Federale të Meksikës. Më parë, nga viti 2001 deri në 2005, i pandehuri ishte kreu i Agjencisë Federale të Hetimit të Meksikës (AFI).

Luna përdori pozicionet e tij zyrtare për të ndihmuar kartelin e dhunshëm Sinaloa në këmbim të miliona dollarëve ryshfet.

Sjellja e Garcia Luna përfshinte lehtësimin e kalimit të sigurt të dërgesave të drogës së kartelit, ofrimin e informacionit sekret nga autoritetet e zbatimit të ligjit në lidhje me hetimet ndaj kartelit dhe ndihmën e kartelit për të sulmuar kartelet rivale të drogës, duke lehtësuar kështu importimin e sasive shumëtonëshe të kokainës dhe drogave të tjera në Shtetet e Bashkuara.

Në këmbim të ryshfetit, Forca Federale e Policisë që drejtohej nga i pandehuri veproi si truproje dhe shoqëruese për kartelin, duke lejuar anëtarët e tij të mbanin uniforma dhe stema policie dhe duke ndihmuar në shkarkimin e ngarkesave të kokainës nga aeroplanët në aeroportet ndryshme të Meksikës, dhe më pas duke e dorëzuar kokainën te karteli.

I pandehuri paguhej në dollarë amerikanë amerikane, të futura në valixhe dhe çanta. Shumat e ryshfetit u rritën me kalimin e viteve ndërsa Karteli Sinaloa u rrit në madhësi dhe fuqi përmes ndihmës së të pandehurit.

Gjyqi i ish-policit të lartë të Meksikës

Pas një gjyqi katërjavor në shkurt 2023, Garcia Luna u dënua nga një juri për përfshirje në një sipërmarrje kriminale të vijueshme, komplot ndërkombëtar për shpërndarjen e kokainës, komplot për të shpërndarë kokainë, komplot për të importuar kokainë të rreme.

Gjyqi përbëhej kryesisht nga trafikantë droge të dënuar të kthyer në bashkëpunëtorë, të cilët dëshmuan për ryshfet, dhënien e parave dhe negocimin e tyre me Lunën. Ish-anëtarët, përfshirë “El Rey”, vëllai i liderit të arrestuar së fundmi të Sinaloas, Ismael “El Mayo” Zambada.

“El Mayo” po përballet gjithashtu me gjyqtarin Cogan në të njëjtën sallë gjyqi dhe seanca e tij e radhës është më vonë këtë javë pasi u ricaktua.

Anëtarët e kartelit dëshmuan se paratë e ryshfetit iu dorëzuan Lunës në një sërë vendesh, duke përfshirë një “shtëpi të sigurt” të vendosur në Mexico City, ku sasi të mëdha parash ishin fshehur në një mur të rremë, në një lavazh makinash në Guadalajara dhe në një restorant francez në Mexico City përballë Ambasadës Amerikane.

Në këmbim të miliona dollarëve ryshfet, Forca e Policisë Federale zbuloi informacione të ndjeshme që i mundësonin kartelit të shmangte zbulimin nga forcat e rendit ose të përdorte informacionin në sulmet ndaj trafikantëve rivalë. Në vitin 2012, me përfundimin e presidencës së Felipe Calderon, Luna doli në pension dhe punoi në sektorin privat në SHBA.

Pasi u transferua në Shtetet e Bashkuara në 2012, Garcia Luna paraqiti një kërkesë për natyralizim në vitin 2018, në të cilën ai gënjeu për sjelljen e tij kriminale në të kaluarën në emër të kartelit në një përpjekje për t’u bërë shtetas amerikan, gjë që çoi në akuzën dhe dënimin e tij për deklaratë të rreme.

Ai u arrestua në vitin 2019 ndërsa jetonte në Miami, Florida.

Mbrojtja e tij u përpoq t’i tregonte jurisë çmime të shumta, vlerësime dhe madje edhe letra nga ish-presidentë amerikanë dhe figura politike si dhe dhe një letër nga ish-drejtori i FBI-së gjatë aplikimit të tij për shtetësi amerikane.

Lutja e minutës së fundit për mëshirë

Prokurorët kërkuan një dënim të përjetshëm ndërsa mbrojtja kërkoi maksimumin 20 vjet burg. Vetëm një pjesë e akuzave mbartin një minimum prej 20 vitesh burg.

Një ditë më parë, vetë Luna i dërgoi një letër gjyqtarit Brian Cogan duke i kërkuar mëshirë, duke këmbëngulur se ai kurrë nuk kishte asnjë lidhje me trafikun e drogës dhe se ai është “një njeri i mirë”.

Në letrën e tij ai foli se si u rrit në një familje me një “ndjenjë të fortë etike” dhe “të qenit njerëz të mirë” me “dashuri për vendin tonë”. Ai tha se familja e tij ishte “dëshmitare e profesionit tim të vështirë” dhe “përpjekjeve mbinjerëzore për të luftuar krimin dhe dhunën që po përjeton vendi im”.

Ai fajësoi qeverinë e tanishme të Meksikës për procedurat e saj ligjore, duke shkruar se “vendi im po kalon trazira të mëdha. Me urdhër të presidentit të Meksikës, gjyqësori i vendit sapo është çmontuar… kërkesa e tij për të burgosur ata që luftojmë, aleatët e tij politikë të lidhur me trafikun e drogës, Meksika po hyn në një fazë shumë të rrezikshme, duke u larguar nga demokracia dhe duke vënë në pikëpyetje liritë individuale; sapo është dekretuar një pushim, pezullim i marrëdhënieve zyrtare mes SHBA-së dhe Meksikës, duke kërcënuar dhe vënë në rrezik punën e bashkërenduar mes SHBA-së dhe Meksikës”, thotë ai.

Me gjithë këtë, ai përfundon duke i kërkuar gjyqtarit që të marrë parasysh të gjithë këta faktorë që lidhen me këtë gjykim gjatë dhënies së dënimit, “ndër të tjera informacionet e rreme të dhëna nga qeveria e tanishme meksikane dhe dëshmitarët e krimit, bashkëfajësia e tyre ndaj meje dhe përgjegjësia ime në frontin e luftës kundër trafikut të drogës ku përplasen edhe interesa të fuqishme politike”.

Ai kujtoi se “unë jam meksikani me më shumë mirënjohje dhe dekorata” në disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara “për luftën kundër terrorizmit dhe trafikut të drogës” dhe theksoi se ka marrë pjesë në nivelet më të larta të bashkëpunimit në inteligjencë dhe siguri me Shtetet e Bashkuara. Ai këmbënguli se nuk ka përfituar kurrë nga pozicionet e tij dhe se “nuk ka asnjë të dhënë apo histori kontakti apo lidhje me ndonjë kriminel”.

Edhe pse ai nuk guxoi të deklaronte në mënyrë të qartë pafajësinë e tij, ai e përfundon letrën e tij duke thënë se “unë nuk kam qenë kurrë një kërcënim apo rrezik për komunitetin” dhe se gjatë gjithë jetës së tij nuk ka “asnjë precedent penal, përkundrazi”. Prandaj, ai i lutet gjyqtarit që “të më lejojë të kthehem sa më shpejt në familjen time dhe të riintegrohem në shoqërinë e dashur të cilës e respektoj dhe i përkas”.

Ai gjithashtu shkroi se ai është mbajtur në Qendrën e Paraburgimit Metropolitane në Brooklyn për 58 muaj “në kushte çnjerëzore”, subjekt i kërcënimeve, i infektuar me Covid dhe madje i ndarë në “qelitë e ndëshkimit”.

Por ai ka mbajtur, thotë ai, sjellje të mirë dhe madje i është përkushtuar përpjekjeve për arsimin e mesëm dhe universitar për të burgosurit e tjerë dhe programeve kundër drogës për ata që akuzohen për krime të lidhura me drogën. Ai është penduar që ka humbur faza të jetës së familjes së tij, veçanërisht fëmijëve, si pasojë e humbjes së të afërmve.

Megjithatë, kishte pasur disa akuza para dhe gjatë gjyqit të Lunës për kërcënime ndaj gazetarëve, dëshmitarëve dhe përpjekje për të korruptuar të burgosur të tjerë.

Gjatë seancës së Senatit meksikan më 16 tetor, vetëm pak orë pasi mësoi për dënimin me 460 muaj burg për Genaro García Luna, Partia Morena vari një pankartë për të vënë në dukje lidhjet midis tij dhe shefit të tij, ish-presidentit Felipe Calderón Hinojosa me trafikun e drogës.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Borderland Beat

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani