Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet Ilir Meta me urdhër të SPAK


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është vendosur në pranga ditën e sotme. Sipas informacioneve paraprake Meta u arrestua pranë Casa Italia-s në kryeqytet.

Mësohet se kreu i PL është ndaluar nga agjentët e BKH të asistuar nga policia. Ilir Meta ka qenë duke udhëtuar me makinë kur e kanë ndaluar, ndërsa ishte i shoqëruar edhe me disa persona te tjere.

Meta ishte nisur drejt selisë së Partisë së Lirisë, ku ai kishte parashikuar të mbante edhe një konferencë për mediat.

Kreu i PL-së është paraqitur disa herë në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje për çështjen CEZ-DIA.

Çifti Meta-Kryemadhi gjithashtu janë në hetim pasuror, si edhe në lidhje me çështjen e lobimit në SHBA.

Ndërkaq bëhet me dije se një masë detyrim paraqitje është vendosur për deputeten e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi.

Ndaj Metës mësohet se rëndojnë 3 akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.Arrestimi i Ilir Metës ka ardhur me urdhër të 3 prokurorëve të posaçëm. 

Deri më tani nuk ka informacion mbi akuzën zyrtare ndaj kreut të PL-së. 

Mësohet se në Drejtorinë e Policisë ka mbërritur avokati i Metës, Gjokutaj dhe Tedi Blushi.

 

Dosja e CEZ-DIA dhe çështja e kunatit me SGS

Dy nga dosjet e ndjeshme dhe për të cilat është pyetur Meta nga SPAK janë, çështja e CEZ-DIA dhe dosja e kunatit te SGS.

Për të parën ai është marrë në pyetje dhe ende nuk ka një reagim zyrtar nga SPAK për çështjet konkrete dhe detajet.

 

Afera CEZ-DIA

Në prill të vitit 2022, SPAK ka rihapur dosjen e CEZ-DIA të vjedhjes së parave publike. Drejtuesi i SPAK Arben Kraja dhe prokurori Altin Dumani po ndjekin këtë hetim, ndërsa kanë pyetur një ndër kryesorët e kësaj afere, Kastriot Ismailajn, i dënuar me 11 vite burg.

Vetëm në një rast, 1 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2019, Meta dyshohet se i kërkon Kastriot Ismailajt, bashkëshortit të Vojsavës (i dënuar me 11 vite burg), 200 mijë (besohet euro) me urgjencë. Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka deklaruar Ilir Meta ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ.

Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, ka rrëfyer se Meta pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj.

Ajo ka treguar për vizitat familje dhe SMS-të që Meta i niste Kastriot Ismailajt duke i kërkuar para. Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria zbuloi se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qenë mbledhja e borxhit të për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave tё CEZ, sigurisht në bashkëpunim me CEZ, pasi CEZ nuk humbiste asgjë, por xhepat e shqiptarëve.

 

Dosja e kunatit me SGS

Në 25 korrik, SPAK ka regjistruar një tjetër procedim penal ka regjistruar një tjetër procedim penal nr. 137, për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.

Të kallëzuar janë Ilir Meta, Monika Kryemadhi, vëllai i Monikës, Drini Kryemadhi dhe vjehrri i Drinit, Nuri Peti.

Drini Kryemadhi dyshohet për rreth 360 mijë USD nga kompania e kolaudimit SGS, në formë pagash, gjatë periudhës 2013-2020, me funksionin inxhinier mekanik. Drini Kryemadhi e kishte pagën më të lartë se sa CEO i SGS, në dhjetor të 2020 ka marrë edhe një shpërblim me vlerë 30 mijë USD, ndërsa dyshohet se nuk ka shkuar fare në punë.

Një pjesë të parave, Drini Kryemadhi dyshohet se ia ka kaluar LSI-së dhe Monikës. Ka dyshime të forta se SGS-ja i ka dhënë paratë Drini Kryemadhit në këmbim të heshtjes së Ministrisë së Transporteve që kontrollohej nga Meta, për moszbatimin e kontratës sa i takon investimeve në pikat e kolaudimit të automjeteve.

 

Çfarë përmban dosja e Lobimit në SHBA, denoncimi dhe 2 fraksionet e çështjes në SPAK

Ilir Meta aktualisht ka në SPAK dy dosje hetimore të hapura. Arrestimi i tij mësohet se është bërë për çështjen e lobimit në SHBA, për të cilën ka qenë edhe në SPAK, ku është marrë në pyetje disa herë dhe ka dhënë shpjegime.

Sipas publikimeve të mëparshme edhe të Shqiptarja.com, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka të paktën 4 dosje të hapura në SPAK dhe pritet të sqarohet konkretisht procedura e arrestimit, veprat penale dhe detajet e këtij ndalimi.

 

Dosja e lobimit 1

Në mes të muajit gusht të këtij viti, SPAK mori nën hetim Ilir Metën për lobim në SHBA me vlerë 690 mijë USD, para këto të padeklaruara as në KQZ dhe as në ILDKP. Procedimi penal ishte regjistruar që në qershor 2022, pas kallëzimit të referuar nga ish-deputeti Halit Valteri.

Në duart e hetuesve janë dy kontrata të LSI-së dhe Ilir Metës, me kompaninë McKeon Group në janar dhe qershor 2017, për t’i siguruar Metës takime dhe aktivitete në SHBA.

Si ndërmjetëse është përdorur kompania “Dorelita Limited”, e regjistruar si offshore në Qipro, me administratorin e të cilës kishte lidhje Vangjel Tavo. Meta po hetohet për veprat penale të korrupsionit dhe falsifikimit të formularëve.

 

Lobimi 2 dhe fshehje pasurie

Në fillim të muajit korrik, SPAK ka regjistruar një tjetër procedim penal, bazuar një tjetër kallëzim penal të ish-deputetit Halit Valteri.

Pjesë e kallëzimit të dytë penal janë Presidenti Ilir Meta dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, deputeti Petrit Vasili, ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, kandidatja për deputete e LSI, Elona Guri, biznesmeni pranë LSI-së Muharrem Berisha, si dhe Iris Zajmi, Elena Gace, Jori Prifti dhe Agron Xhafa.

Në kallëzimin penal thuhet se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave që rrjedhin nga korrupsioni dhe vjedhja e pasurive publike, ku në krye të kësaj skeme qëndron si zakonisht çifti Meta-Kryemadhi.

Në kallëzim referohen kontrata të tjera lobimi në 2017 të padeklaruara, si dhe ngrihen dyshim për fshehje pasurie, përfshirë edhe godinën e LSI-së.

Procedimi penale është regjistruar për fshehje pasurie, korrupsion dhe pastrim parash.