Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi hedh tezën e Narkoshtetit pas evidencave kriminale të deputetit Çyrbja


Kreu i grupit parlamentar të PD-së Bardhi deklaroi sot se arrestimi i Jurgis Çyrbjes dhe lidhja e tij me grupet kriminale është tregues i pengmarrjes së kryeministrit Rama nga bandat.

Ai shkruan se organizatat kriminale kanë qasje deri në caktimin e kandidatëe për deputetë dhe tregon gjunjëzimin e PS-së dhe kryeministrit para tyre, një dukuri e shtrirë në çdo qark, në çdo bashki.

“Aksesi i organizatave kriminale deri në pikën e caktimit të renditjes së kandidatëve në listën e deputetëve të PS është prova më domethënëse që Edi Rama është një Kryeministër i marrë peng nga bandat. Firma e Edi Ramës si Kryetar i PS për të plotësuar kërkesën e një prej grupeve më të rrezikshme të krimit të organizuar është akti më domethënës i gjunjëzimit të një partie politike dhe të Kryeministrit përpara tyre. Ky nuk është një rast i izoluar, por i shtrirë në çdo qark, në çdo bashki. Trajtimi i krimit të organizuar si bashkëaksioner në qeverisje është rënie e shtetit, asgjesim i zgjedhjeve të lira, vdekje e demokracisë. Opozita e ka ngritur këtë shqetësim prej vitesh, por Kryeministri i bandave ka bërtitur “shpifje, shpifje, shpifje”, dhe sot si gjithmonë pasi i provohet, fshihet dhe hesht!” – shkruan Bardhi.

Ai shton më tej se Edi Rama ka ndarë qeverisjen me bandat kriminale në vend, që në këmbim të përfitimeve mbledhin vota për të.

“Listën e kandidatëve dhe renditjen e tyre nuk e caktojnë deputetët, por e harton dhe miraton Edi Rama. Bandat nuk kanë punuar për të bërë një deputet, por kanë punuar për të bërë Kryeministër Edi Ramën. Bandat nuk kanë mbledhur vota për të bërë një deputet, por për të bërë Edi Ramën Kryeministër. Nuk janë deputetët bashkëpunëtor të grupeve kriminale, por Edi Rama që ka ndarë qeverisjen me to dhe ka fituar pushtetin në bashkëpunim me to. Kjo e bën zyrtarisht Shqipërinë vendin e parë në botë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar! Përgjegjës për këtë është vetëm Edi Rama dhe askush tjetër.”­ – mbyll Bardhi.

Ish-deputeti i PS-së Jurgis Çyrbja u arrestua mbrëmjen e djeshme me urdhër të SPAK.

Ai u ndalua në Durrës bashkë me kunatin e të vëllait, Ahmet Mashën. Zyrtarisht ndaj Çyrbjes janë ngritur shtatë akuza nga Prokuroria Speciale të cilët kanë të bëjnë me zbërthimin e komunikeve në aplikacionin Sky ECC.

Sipas SPAK, Çyrbja ka strehuar në banesë Altin Hajrin pas rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës. Po kështu ai akuzohet se ka njoftuar grupet kriminale të qarkut të Durrësit për aksionet e policisë dhe në këmbim dyshohet se Altin Hajri do siguronte vota për ta bërë deputet në Durrës duke e vënë në listë të sigurt.

Rreth dy javë më parë ai dorëzoi mandatin e deputetit pasi u thirr në SPAK ndërsa në  një reagim të parë deklaronte se dorëzimi i mandatit kishte të bënte me shkaqe shëndetësore.

“Kam nevojë për kohë. Do të kujdesem për shëndetin tim. Nuk kam asnjë shqetësim të natyrës ligjore. Dorëheqja nuk lidhet me thirrjen në SPAK. Ishte një vendim që e mora në vlerësim të situatës sime personale”, deklaronte Çyrbja.

Jurgis Çyrbja është zgjedhur për herë të parë deputet i PS-së në zgjedhjet e vitit 2017. Megjithatë ai ka shërbyer si deputet që nga viti 2015 pasi zëvendësoi Blendi Klosin që u emërua ministër në qeverinë Rama 1.