Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Malaj: Qeveria e angazhuar për një rritje sa më të shpejtë të pensioneve


Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka njoftuar se po shqyrtohet mundësia për rritjen e bonusit të fundvitit për pensionistët, gjatë një komunikimi me këtë grup të rëndësishëm shoqëror. Ai theksoi se indeksi i pensioneve me 4.1% është rezultat i rritjes së çmimeve dhe nuk lidhet drejtpërdrejt me skemën e pensioneve që po studiohet për të ardhmen.

Malaj e vlerësoi si privilegj të jetë para pensionistëve, duke njohur kontributin e tyre të çmuar në ndërtimin e vendit. Ai shprehu angazhimin e qeverisë për të adresuar çështjen e rritjes së pensioneve, duke theksuar se bonuset e fundvitit do të ndihmojnë të lehtësojnë barrën financiare të përditshme, veçanërisht për ata që kanë më shumë nevojë.

“Është privilegj për mua të jem para pensionistëve, përpara një brezi që ka dhënë kontribut të çmuar për ta bërë vendin më të begatë.

Siç kemi adresuar çështjen e rritjes së pagave, ka ardhur koha të adresojmë çështjen e rritjes së pensioneve. Jemi ngarkuar që të gjejmë një zgjidhje për pensionet. Po shikojmë mundësinë për rritjen të bonusit të fundvitit.

Ky bonus është një mënyrë për të lehtësuar sadopak barrën financiare të përditshme që keni dhe synon të ndihmojë më shumë ata që kanë më tepër nevojë.

Ne duam të krijojmë një skemë pensioni të qëndrueshme. Indeksimi ka të bëjë me rritjen e çmimeve, nuk ka të bëjë me skemën e pensioneve që po shqyrtojmë. Qeveria është e angazhuar për një rritje sa më të shpejtë të pensioneve.”