Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta në SHBA në moshën 83-vjeçare Fethullah Gylen – Media


Predikuesi mysliman turk, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja zyrtare e akuzon se qëndronte pas grushtit të dështuar të shtetit në korrik 2016, ka ndërruar jetë në Shtetet e Bashkuara ku jetonte, tha transmetuesi NTV dhe media të tjera turke të hënën.

Raportet nuk mund të konfirmohen ende.

Gylen ndërtoi një lëvizje të fuqishme islamike në Turqi dhe më gjerë, por i kaloi vitet e tij të mëvonshme i akuzuar për orkestrimin e një përpjekeje për grusht shteti kundër kreut turk Tajip Erdogan, akuza të cilat ai i mohoi.

Në Shqipëri emri i Gylen dhe institucionet arsimore të lidhura me të kanë shërbyer si element polemizues mes besimtarëve myslimanë, një pjesë e të cilëve janë rreshtuar krah Komunitetit Mysliman Shqiptar e një pjesë kundër tij, duke anuar nga krahu që mbështetet nga Turqia zyrtare dhe presidenti i saj Erdogan.

Madje në përurimin e para pak javëve të xhamisë së Namazgjasë, mungoi kreu i KMSHsë Bujar Spahiu për shkak të pranisë së Erdogan.

Erdogan i konsideron drejtuesit e KMSH-së si pjesë të “Lëvizjes Gylen”, të themeluar e drejtuar nga kleriku dikur bashkëpunëtor i ngushtë i Erdogan, Fethullah Gylen, i cili ndodhet në azil në SHBA.

Pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi më 15 e 16 korrik 2016 në Turqi, Erdogan nisi një fushatë spastrimi në vend duke goditur të gjithë elementët e kosideruar si pjesë të Lëvizjes Gylen.

Ai i kërkoi edhe kryeministrit Rama të eksradonte në Turqi të gjithë elementët e lëvizjes si dhe të mbyllte institucionet arsimore me lidhje me Gylen në Shqipëri.

Në gusht 2020, Ministria e Arsimit që asokohe drejtohej nga Besa Shahini mbylli dy kopshte fëmijësh në Tiranë, “Mehmet Akif” dhe “Memorial”.

Në vitin 2020, u mbyllën edhe medereseja “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë (e hapur në vitin 2002) dhe medreseja “Ali Korça” në Kavajë (e hapur në vitin 1996).

Dy vite më pas, në shtator 2022 Ministria e Arsimit që drejtohej nga Evis Kushi mbylli kopshtin “Zybejde Hanim”, që ashtu si dy kopshtet më sipër ka qenë pjesë e shoqërisë “Turgut Ozal”.

Po në shtator 2022, qeveria vendosi edhe mbylljen e kolegjit jopublik “Mehmet Akif”. Sipas qeverisë shqiptare shkak i mbylljes së institucioneve të lartpërmendura kanë qenë problemet me ligjin që ato kanë pasur, gjë që është kundërshtuar nga institucionet në fjalë.

“Përplasja” për drejtimin e KMSH-së përfshiu edhe ambasadën amerikane që çoi përfaësues të lartë të saj gjatë procesit zgjedhor në vitin 2019, me palën amerikane që zyrtarisht thjesht po vëzhgonte procesin po në fakt ishte në mbështetje të Spahiut, kundër rivalëve të tij në procesin zgjedhor Ylli Gurra e Gramoz Blliku.