Ditën e nesërme është afati i fundit i mbledhjes së Komisionit Hetimor për koncesionet në shëndetësi.
Kryetarja e Komisionit Hetimor për koncesionet në shëndetësi, Albana Vokshi, ka kërkuar të shtyhet afati i mbledhjes së nesërme për 2-3 javë, duke theksuar se mazhoranca ka uzurpuar funksionet e komisionit. Ajo akuzoi deputetët e PS-së për shkelje të rregullores dhe për mosnjohje të autoritetit të kryetarit.
Vokshi theksoi se komisioni nuk mund të mbyllet pa dëshminë e Edi Ramës dhe e cilësoi situatën si të paprecedentë në 33 vite, duke theksuar se qytetarët janë të vetëdijshëm për korruptivitetin e koncesioneve. Ajo kërkoi transparencë dhe respektim të procedurave, duke shprehur shqetësimin se këto afera kriminale nuk do të mbulohen dot.
“Sot jemi në një tjetër mbledhje të komisionit hetimor. Sic ka ndodhur në mbledhjet e fundit, kjo është një kërkesë e ardhur nga deputetët e mazhorancës.
Ditën e premte, pas një mbledhje që u mbajt në shkelje të rregullores, e kanë zhbërë edhe kryesinë e komisionit. Pra dua të informoj se kryesia e komisionit nuk mblidhet më, nuk kryen funksionet që duhet të kryejë.
Mazhoranca jo vetëm që nuk njeh autoritetin e kryetarit, por ka rrëmbyer edhe komisionin, edhe drejtimin, edhe menaxhimin edhe dëgjesat.
Nëse mendoni se do ja mbushni mendjen njerëzve se ju keni dëshirë të hetoni e keni gabim, sepse pavarësisht se keni uzurpuar cdo gjë të këtij komisioni, cdo qytetar e ka të qartë sesa korruptive janë këto koncesione.
Të premten ka ardhur një shkresë më firmat e deputetëve të PS ku kërkohet të dëshmojnë para komisionit shumë dëshmitarë. Nesër është dita e fundit, afati i fundit i komisionit. Ndërkohë në listën e dakordësuar janë edhe shumë dëshmitare të tjerë. Unë nuk e kuptoj çfarë doni të bëni?! Kush është qëllimi i dëshmive të sotme?!
Nuk ka ndodhur kurrë në 33 vite kjo që po ndodh. E di që halli juaj është i madh, por nuk e zgjidh dot ky komision hallin tuaj. Nuk do i mbuloni dot këto afera kriminale.
Si do e mbyllni këtë komision? Në këtë komision duhet të vijë Edi Rama. Nuk mund të mbyllet ky komision pa ardhur Edi Rama.”