Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç nuk merr pjesë në samitin e BRICS, përfaqësohet nga katër ministra


Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të hënën se nuk do të marrë pjesë në samitin BRICS, nikoqir i të cilit këtë vit është presidenti rus, Vladimir Putin, por që Serbia do të përfaqësohet me katër ministra.

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS), Vuçiç ka thënë se i ka treguar presidentit të Rusisë, përmes telefonit, se do të ketë një mori takimesh me zyrtarë evropianë gjatë kohës sa do të mbahet samiti BRICS, më 22-24 tetor.

“Do të dërgojmë një delegacion që do të përfshijë katër ministra, zëvendëskryeministrin, Aleksandar Vullin, ministrin e Mbrojtjes, Bratisllav, Gashiç, ministren e Ekonomisë, Adrijana Mesaroviç dhe ministrin pa portofol, Nenad Popoviç”, ka thënë Vuçiç.

Ai ka thënë se kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, do të vizitojë Beogradin më 23 tetor.

Vuçiq e ka përsëritur që Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Ai ka thënë se sipas rezultateve të disa sondazheve të opinionit publik, mbështetja e serbëve për BE-në dhe BRICS-in është 42 me 42 për qind, dhe që nuk e përjashton që situata do të mund të ndryshonte nëse do të deklarohej “ndryshe prej asaj që kam deklaruar deri më tani”.

BRICS, është forum joformal tregtar, i krijuar prej Rusisë, Kinës, Indisë, Brazilit dhe Afrikës së Jugut.

Putin e shfrytëzon këtë platformë për qëllime gjeopolitike dhe e konsideron si kundërpeshë ndaj ndikimit të Perëndimit në botë, por edhe që të dërgojë sinjal se Rusia nuk është e izoluar, pavarësisht sanksioneve ndaj saj, pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Brukselit, Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit, ndonëse është vend kandidat për anëtarësim në BE.