Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë kërcënoi live sot nga konferenca kryeministrin Edi Rama, teksa e akuzoi si kryebandit dhe drejtues të narkoshtetit, që “rrëmbeu në akt terrorist Ilir Metën”.
Ai paralajmëroi kreun e qeverisë se nëse Presidentit të Partisë së Lirisë do i ndodhte gjë në paraburgim, do të mbajë përgjegjësi personale dhe “s’do gjejë vrimë miu dhe gjylpëre për t’u fshehur”.
Blushi këmbënguli se pati skenar për eliminim fizik të Ilir Metës, por që sipas tij, “fatmirësisht dështoi”.
Ai i bëri thirrje edhe atyre personave që i quajti si “spiunë”, që të mos i afroheshin partisë.
“U bëj thirrje gjithë spiunëve që të qëndrojnë larg selisë së Partisë së Lirisë. Paralajmërim edhe për Edi Ramën, se nëse Ilir Metës i ndodh gjë brenda ambienteve ku është izoluar, përgjegjësia është personale, jo vrimë miu, por as vrimë gjylpëre nuk do gjejë. Pati skenar për eliminim fizik të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, por që për fat të mirë dështoi”, tha ai.