Vendosni fjalën kyçe....

Ekzekutohen me 25 plumba dy përfaqësues të opozitës në vendin afrikan


Një avokat që përfaqëson kreun e opozitës në Mozambik, Venancio Mondlane, u qëllua për vdekje në kryeqytetin Maputo mbrëmjen e së premtes. Elvino Dias u vra së bashku me kolegun e tij, zëdhënësin e partisë Podemos, Paulo Guambe, kur persona të armatosur sulmuan makinën e tyre, njoftuan autoritetet të shtunën.

Vrasjet pasuan zgjedhjet presidenciale në vendin e Afrikës jugore që kanë ngjallur akuza për manipulim votash kundër partisë në pushtet prej shumë kohësh Frelimo. Dias kishte përgatitur një apel për Podemos për të kundërshtuar rezultatet përfundimtare, të cilat autoriteti zgjedhor pritet të shpallë të mërkurën, sipas mediave lokale.

Pamjet e shpërndara në mediat sociale treguan trupat e përgjakur të Dias dhe Guambe brenda makinës së mbushur me plumba. Rreth 25 të shtëna u qëlluan ndaj automjetit nga “individë të panjohur”, raportoi grupi lokal jofitimprurës Qendra për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (CDD), duke cituar dëshmitarët.

Zëdhënësi i policisë së Maputos, Leonel Muchina, u tha gazetarëve se viktimat kishin qenë më parë në një bar lokal, ku kishin debatuar me klientët e tjerë për “çështjet martesore”, sipas agjencisë së lajmeve “Club of Mozambique”. Muchina deklaroi se sulmuesit, emrat e të cilëve ai nuk pranoi të zbulonte, i ndoqën viktimat, bllokuan makinën e tyre dhe më pas i qëlluan. Një grua në makinë ka pësuar lëndime dhe është dërguar në spital.

“Ky është padyshim një krim politik, i orkestruar nga skuadrat e vdekjes që kanë synuar prej kohësh aktivistë, mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe avokatë të pavarur”, tha në një deklaratë drejtori i CDD-së, Adriano Nuvunga.

Tensionet janë rritur në Mozambik pas zgjedhjeve të 9 tetorit, të cilat janë fituar nga kandidati i Partisë Frelimo, Daniel Chapo. Politikani 47-vjeçar, i cili shihet si i paprekur nga skandalet e korrupsionit që kanë dëmtuar trashëgiminë e partisë në pushtet, është vlerësuar si potencialisht fillimi i një kapitulli të ri për një vend që ishte qeverisur nga i njëjti koalicion që nga fitimi i pavarësisë nga Portugalia në vitin 1975.

Mondlane, një kandidat i pavarur i mbështetur nga Podemos, hodhi poshtë rezultatet paraprake që e vendosën atë të dytin pas Chapo.

Politikani thuhet se ka akuzuar forcat e sigurisë kombëtare për vrasjen e avokatit dhe aleatit të tij dhe përpjekje për të fshehur përfshirjen e tyre. Mondlane pretendoi se policia kishte hequr gëzhojat e përdorura nga vendi i krimit dhe sekuestriimn ose dëmtimin e telefonave celularë të dëshmitarëve të mundshëm, raportoi Club of Mozambique.