Vendosni fjalën kyçe....

Merrte makina me qira në Elbasan dhe nuk i kthente, në pranga 26-vjeçari në Bilisht


Një 26-vjeçar është arrestuar në Korçë pasi kishte marrë me qira dy automjete në Elbasan dhe nuk i kishte kthyer. Ai ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Mashtrimi”.

Arrestimi u realizua nga policia e Elbasanit në bashkëpunim me atë të Korçës, duke u bazuar në inteligjencën informative. Shtetasi H. K., banues në fshatin Bilisht, kishte marrë me qira automjetet duke paguar vetëm një pjesë të çmimit, por nuk i kishte kthyer sipas marrëveshjes.

Automjetet janë sekuestruar dhe materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në çdo formë të shfaqjes së tyre dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në inteligjencën informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rental”.

Si rezultat i këtij operacioni, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Korçë, u bë e mundur kapja në Korçë dhe ndalimi i shtetasit:

H. K., 26 vjeç, banues në fshatin Bilisht.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Mashtrimi”, pasi:

-më datë 27.09.2024, në qytetin e Elbasanit, në subjektin për dhënien e automjeteve me qira, në pronësi të shtetasit A. K., ka marrë me qira një automjet duke bërë vetëm një pjesë të pagesës, por më pas nuk e ka kthyer automjetin siç parashikohej në marrëveshjen me shtetasin A. K.;   

-më datë 01.10.2024, në qytetin e Elbasanit, në subjektin për dhënien e automjeteve me qira, në pronësi të shtetasit E. M., ka marrë me qira një automjet duke bërë vetëm një pjesë të pagesës, por më pas nuk e ka kthyer automjetin siç parashikohej në marrëveshjen me shtetasin E. M..

2 automjetet që kishte marrë 26-vjeçari në këto 2 subjekte janë gjetur dhe janë sekuestruar nga Policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Elbasan, për veprime të mëtejshme.