Vendosni fjalën kyçe....

Putin mikpret 36 udhëheqës botërorë në Samitin e BRICS-it në Rusi


 

Presidenti rus Vladimir Putin, i izoluar nga Perëndimi dhe i etiketuar si një kriminel lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC), është mikpritës i 36 udhëheqësve botërorë nga vende si Kina, India dhe Irani në një samit të BRICS, i cili synon të tregojë se Moska nuk është e izoluar.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së do të marrë pjesë në këtë takim në Kazan, duke sfiduar Perëndimin dhe Ukrainën, ashtu siç pretendon Moska. Zëdhënësi i António Guterres u shpreh i paqartë lidhur me pjesëmarrjen e tij.

Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar një urdhër arresti për Putinin për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas në Rusi.

Nga ana tjetër, Rusia ka deklaruar se përfaqësues nga 36 vende do të marrin pjesë në pjesë të ndryshme të samitit tre-ditor, që është mbledhja më e madhe ndërkombëtare e organizuar nga Putin që kur urdhëroi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Putin do të zhvillojë takime të njëpasnjëshme me presidentin kinez Xi Jinping dhe kryeministrin indian Narendra Modi, si dhe 15 takime të tjera dypalëshe, shkruan The Guardian.

Rusia pretendon se grupi BRICS përfaqëson shumicën globale, që mund të formojë një element thelbësor të rendit të ri botëror.

Grupi BRICS tashmë është zgjeruar nga pesë anëtarët fillestarë – Afrika e Jugut, Rusia, Kina, Brazili dhe India – në një grup më të gjerë, duke përfshirë Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopinë dhe Iranin.

Ndërkohë, vende të reja aplikante, si Turqia dhe Arabia Saudite, janë në faza të ndryshme të aplikimit për anëtarësim.

Një nga synimet kryesore të grupit është të veprojë si kundërpeshë ndaj ekonomive perëndimore, veçanërisht ndaj dominimit të dollarit, që shihet gjithnjë e më shumë si një armë e SHBA-ve për të imponuar vullnetin e saj politik përmes sanksioneve.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi gjatë rrugës për në samit: “BRICS mund të jetë një rrugëdalje nga totalitarizmi amerikan dhe të krijojë një rrugë drejt multilateralizmit.”

Megjithatë, me zgjerimin e BRICS rrezikohet humbja e kohezionit ideologjik. Ndërsa Brazili dhe India ndajnë njëfarë dëshire për t’u çliruar nga dominimi i dollarit, ato nuk e ndajnë këtë synim në të njëjtën masë si Kina dhe Rusia.

Pavarësisht gjuhës anti-perëndimore në komunikatat e samitit, presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva ka theksuar se BRICS “nuk është kundër askujt”.

Për Putinin, ky samit është një dhuratë diplomatike, duke treguar se Rusia nuk është një “pariah” ndërkombëtar, por një anëtar qendror i një grupi dinamik që pretendon të formojë të ardhmen e rendit ndërkombëtar.