Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka kërcënuar se “skuadra terroriste që mori pjesë në rrëmbimin dhe dhunimin fizik të kreut Meta do ndëshkohet pavarësisht maskave”.
Në një shënim në rrjetet sociale ai thekson se “PL-ja është duke mbledhur emrat e terroristëve të cilët do përgjigjen para ligjit”.
Blushi ka sulmuar edhe ministrin e Brendshëm Hoxha të cilin e etiketon si “zar ordiner në krye të Narkoministrisë”.
“Skenari kriminal destabilizues për eliminimin fizik të Presidentit Ilir Meta dështoi! Por skuadra terroriste që mori pjesë në rrëmbimin dhe dhunimin fizik të tij do të ndëshkohet pa mëshirë pavarësisht maskave në surrat! Dhuna e ushtruar, siç provon qartë kjo video, nuk do të tolerohet dhe kurrë nuk do të amnistohet! Partia e Lirisë është duke mbledhur informacion për emrat e të gjithëve terroristëve që nga dje e kanë personale me çdo shqiptar të ndershëm dhe patriot. Me reagimin e sotëm provokues të zarit ordiner të Edi Ramës në krye të Narkoministrisë së Brendshme dhe avokatisë që i bëri skuadriljes terroriste është e qartë se gjithçka ka qenë e urdhëruar nga lart. Askush nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit sipas përgjegjësive që ka patur në këtë akt terrorist!”, shkruan Tedi Blushi.