Ndryshimet klimatike por edhe fenomenet natyrore më ekstreme si efekt i tyre, kanë kthyer vëmendjen kudo në botë tek masat që duhet të merren, për rreziqet potenciale që vijnë nga këto zhvillime.
Në Shqipëri viteve të fundit ka gjithashtu një theks të vazhdueshëm për masat që duhet të merren sa i takon digave të mëdha të cilat janë me funksione të ndryshme.
Një institucion që vazhdimisht në dokumente ka vënë theksin për vëmendjen që duhet të ketë ky aspekt është Komiteti i Digave të Mëdha i cili vlerëson se ka nevojë për masa konkrete në disa rajone.
Por një prezantim i fundit në një simpozium për Sigurinë e Digave nga kryetari i këtij institucioni Arjan Jovani vlerëson se në vend janë të paktën 136 diga jofunksionale sa i takon qëllimit të tyre kryesor se pse janë ndërtuar sipas projektit origjinal.
Nga këto janë 35 diga të mëdha dhe 101 më të vogla. Sipas studimit 9 diga të vogla nuk ekzistojnë nga ana strukturore kurse 17 të tjera janë pranuar nga bashkitë për ti dekomisionuar. Shifrat tregojnë se 46 digave të tjera u mungojnë koordinatat kurse në 8 raste rezervuarët janë kthyer në toka bujqësore.
Sipas shifrave zyrtare të prezantuara janë të paktën 650 diga (350 të mëdha dhe 300 të vogla) që janë ndërtuar për qëllime të ndryshme duke nisur nga ujitja ku bëjnë pjesë 626 diga dhe ku përfshihen edhe funksione të tjera të integruara si turizmi, peshkimi, rekreacioni dhe adresimi i problematikave të prurjeve të larta të ujit në momente të caktuara. Të paktën 24 diga të tjera kanë si funksion parësor prodhimin e energjisë por shërbejnë edhe në funksion të transportit, peshkimit dhe turizmit. Dy diga të tjera kanë për qëllim furnizimin me ujë.
Sipas kreut të Komitetit të Digave aktualisht kuadri ligjor për dekomisionimin e digave është në rregull, por duhet të përgatiten udhëzuesit dhe standardet teknike për procesin e dekomisionimit apo ‘eliminimit’ të digës.
Sipas ligjit dhe vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.147, datë 18.03.2004, digat do të dekomisionohen në momentin që do të kenë humbur funksionet kryesore dhe rezervuarët do të jenë mbushur me sedimente. Aktualisht nuk është bërë asnjë dekomisionim dige në Shqipëri teksa shumë diga janë shumë të vjetra pra mbi 50 vjeç dhe shumë rezervuarë janë mbushur me sedimente duke paraqitur rreziqe për komunitetet në pjesën e poshtme të tyre./ N. Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor