GJKKO ka vendosur të lërë në fuqi masën e arrestit me burg ndaj ish-Presidentit të Republikës Ilir Meta.
Pas përfundimit të seancës gjykata vendosi të mos ndryshojë masat për Monika Kryemadhin dhe Ema Çokun, ndërsa për Pirro Xhixhon u vendos ndryshim i masës.
Ky i fundit nuk do të mbetet në arrest shtëpiak, pasi gjykata caktoi ndaj tij masën e detyrimit të paraqitjes.
Fillimisht seanca e nisur në orën 09.30 të paradites u ndërpre pas rreth 1 ore, ndërsa u shoqërua me debate mes Metës me prokurorëve të SPAK.
I pranishëm në seancë ishte edhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
Mësohet se Meta i është drejtuar me tone të forta Dumanit dhe dy prokurorëve që kanë hartuar dosjen e tij, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi. Nga ana tjetër avokatët mbrojtës kërkuan më tepër kohë që të njiheshin me aktet.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Ish-drejtori i AKEP, Pirro Xhixho është i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal.
Ndërsa Ema Çoku akuzohet nga SPAK për pastrim parash.
Rreth 2 orë pas rinisjes së seancës, kreu i SPAK, Altin Dumani ka dalë nga salla e gjyqit.