PD-ja bëri përgjegjëse qeverinë për pensionet duke e quajtur fyese rritjen me 4%.
Në një deklaratë nga selia blu anëtari i kryesisë Eno Bozdo tha se qeveria Rama është përgjegjëse për këtë dhe jo bizneset siç përpiqet t’i bëjë fajtore kreu i qeverisë.
“Përgjegjësi për këtë ka vetëm qeveria, dhe jo biznesi që thërritet dhe telendiset “live”, për t`i hedhur shqiptarëve trutë e gomarit. Shqipëria, edhe pse konsiderohet një vend më ngarkesë të lartë fiskale, është e fundit në Ballkan për sa i përket të ardhurave të mbledhura. Ajo realizon të ardhura në 27,8% të PBB, kur Kosova shkon në 29,3%, Maqedonia në 31%, Serbia dhe Mali i zi në 42%. Nëse Shqipëria do të performonte sa mesatarja e rajonit, sot do të mblidhnim 1,8 miliardë euro më shumë, të mjaftueshme për t`i dyfishuar rrogat dhe pensionet bashkë. Një kabinet teknik asnjanës, që mundëson zgjedhje të lira e të ndershme, dhe që i hap rrugën një qeverie që aktin e saj të parë do të ketë vendosjen e minimumit jetik dhe uljen e taksave për individët edhe bizneset.” – tha Bozdo.
Dy ditët e fundit kryeministri Rama e disa ministra të qeverisë së tij kanë ndërmarrë disa takime me biznesin e ndërtuesit në vend duke i paralajmëruar me masa ndëshkuese lidhur me deklarimin e ulët të pagave për të shmangur pagesat e sigurimeve që sipas tyre po grabisin pensionistët në vend.