Vendosni fjalën kyçe....

Hamasi thotë se do e mbajë  të fshehtë identitetin e kreut të ri


Hamasi do zgjedhë një udhëheqës të ri në mars, por do e mbajë të fshehtë identitetin e tij për arsye sigurie, ka thënë një zëdhënës i grupit militant palestinez. Deri atëherë, grupi do drejtohet nga një komitet zyrtarësh të lartë.

Grupi militant me bazë në Gaza ka qenë pa një udhëheqës të përgjithshëm që nga e mërkura e kaluar, kur Yahya Sinwar u vra në një përleshje me trupat izraelite në Rafah. Sinwar, i cili më parë shërbeu si shef i lëvizjes në Gaza, mori postin e lartë në gusht, pasi kreu i byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, u vra në Teheran.

Me komandantin e krahut ushtarak të grupit, Mohammed Deif, të vrarë në një sulm ajror izraelit në Gaza në korrik, detyrat e përgjithshme drejtuese i janë dorëzuar një komiteti prej pesë anëtarësh, tha një zëdhënës i Hamasit për BBC të hënën.

Ky komitet do përbëhet nga Khalil al-Hayya, Khaled Meshaal, Zaher Jabarin, Muhammad Darëish dhe një i pestë pa emër, tha zëdhënësi. Pasi të zgjidhet një udhëheqës i ri, shtoi ai, emri i tij do mbahet i fshehtë për arsye sigurie.

Khalil al-Hayya është i vendosur në Katar dhe kryeson delegacionin e Hamasit në bisedimet e armëpushimit me Izraelin. Al-Hayya pranoi vdekjen e Sinwar në një videomesazh javën e kaluar, duke e përshkruar militantin e vrarë si një “luftëtar të shenjtë” dhe “dëshmor të rënë”.

Dy zyrtarë të Hamasit i thanë BBC-së se al-Hayya ka marrë përsipër shumë nga detyrat e Sinwar dhe konsiderohet një kandidat i fortë për ta zëvendësuar atë në krye të organizatës.

Krahas Deif, Sinwar u konsiderua gjerësisht si organizatori i sulmit të 7 tetorit 2023 në Izraelin jugor që nxiti luftën.

“Sinwar ishte përgjegjës për sulmin më brutal kundër Izraelit në historinë tonë,” tha zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) Daniel Hagari në një deklaratë televizive javën e kaluar. Hamasi pohon se do vijojë të luftojë kundër Izraelit dhe nuk do i lirojë afërsisht 100 pengjet që mban në Gaza derisa Izraeli të tërhiqet nga enklava dhe të lirojë shumë të burgosur palestinezë në burgjet e tij.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i tha Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së muajin e kaluar se nëse Hamasi nuk dorëzohet, IDF do vijojë të luftojë “derisa të arrijmë fitoren totale”.