Nënpresidentja Kamala Harris tha të mërkurën se beson se Donald Trump është “fashist” pasi shefi më jetëgjatë i kabinetit të ish-Presidentit u shpreh se ky i fundit, gjatë kohës që ishte në detyrë, kishte shprehur vlerësim për Adolf Hitlerin dhe kishte vënë besnikërinë personale mbi Kushtetutën.
Zonja Harris vuri theksin tek komentet e gjeneralit në pension John Kelly, lidhur me qëndrimet e ish-shefit të tij në intervistat për gazetën ‘The New York Times’ dhe revistën ‘The Atlantic’, botuar të martën, ku ai paralajmëronte se kandidati presidencial republikan plotëson kriteret e përkufizimit të një fashisti dhe se kur ishte në detyrë, kishte sugjeruar se Adolf Hitleri “kishte bërë disa gjëra të mira”.
Duke folur në një takim të hapur në Pensilvani, të drejtuar nga rrjeti CNN, zonja Harris tha se këto komente janë një mundësi për të kuptuar se cili është “në të vërtetë” ish-presidenti dhe se çfarë lloj komandanti i përgjithshëm do të ishte ai.
Kur u pyet nëse besonte se zoti Trumpi ishte fashist, zonja Harris u përgjigj dy herë: “Po, e besoj”. Më pas, ajo u shpreh se nëse zoti Trump do të zgjidhej përsëri ai do të ishte një “president që adhuron diktatorët dhe është fashist”.
Kandidatja demokrate për presidente tha se komentet e zotit Kelly, më pak se dy javë para se sa votuesit të vendosin nëse duan ta rikthejnë zotin Trump në Shtëpinë e Bardhë, ishin “një thirrje urgjente paralajmëruese për popullin amerikan”.
“Unë besoj se Donald Trumpi është një rrezik për mirëqenien dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara”, tha ajo, duke u shprehur se amerikanët meritojnë një president që “respekton disa standarde”, mes së cilave “të mos e krahasojë veten, në formë adhuruese, me Hitlerin”.
Ajo shtoi se nëse rizgjidhet, zoti Trump nuk do të pengohej dot më nga njerëz që “do ta frenonin” nga instiktet e tij më të këqija.
Më herët të mërkurën, zonja Harris përsëriti paralajmërimet e saj mbi aftësinë mendore të zotit Trump dhe synimet që ka nëse fiton Presidencën.
“Është një dritare për të kuptuar se cili është në të vërtetë Donald Trump, përmes njerëzve që e njohin atë më së miri, njerëz që kanë punuar krah më krah me të në Zyrën Ovale”, u tha zonja Harris gazetarëve.
Komentet e zotit Kelly, i cili punoi për zotin Trump në Shtëpinë e Bardhë nga viti 2017 deri në vitin 2019, janë në vazhdën e paralajmërimeve të kaluara të ish-zyrtarëve të lartë të administratës së ish-presidentit Trump dhe bëhen ndërsa kanë mbetur më pak se dy javë nga zgjedhjet.
Gjeneral Kelly ka qenë prej kohësh kritik i zotit Trump dhe e ka akuzuar atë se i ka cilësuar veteranët e vrarë në luftra si “dështakë”.
Paralajmërimet e tij të fundit vijnë ndërsa republikani Trump po kërkon një mandat të dytë dhe gjatë fushatës është zotuar se do të zgjerojë në mënyrë dramatike përdorimin e ushtrisë dhe ka lënë të kuptohet se do të përdorte forcën ndaj amerikanëve që ai i konsideron “armiq të brendshëm”.
“Ai komentoi më shumë se një herë duke thënë: ‘Hitleri bëri edhe disa gjëra të mira”, kujtoi zoti Kelly në intervistën për gazetën ‘The New York Times’, duke shtuar se ai vetë zakonisht i mbyllte biseda të tilla duke thënë se “‘asgjë që ka bërë (Hitleri) … nuk ishte e mirë’”, por se zoti Trump herë pas here i rikthehej temës.
Në intervistën me revistën ‘The Atlantic’, zoti Kelly kujton se kur ish-Presidenti Trump ngriti idenë e nevojës për “gjeneralë gjermanë”, zoti Kelly e pyeti nëse e kishte fjalën për “gjeneralët e Bismarkut”, duke iu referuar Otto von Bismarckut, kancelarit që mbikëqyri bashkimin e Gjermanisë. “Me siguri nuk e keni fjalën për gjeneralët e Hitlerit”, kujton John Kelly se e kishte pyetur zotin Trump. Ish-presidenti ishte përgjigjur: “Po, po, gjeneralët e Hitlerit”.
Zoti Trump tha përmes një reagimi në rrjetin Truth Social se zoti Kelly e “kishte sajuar tërë këtë histori” dhe u shpreh me fyerje të rënda ndaj ish shefit të kabinetit, duke thënë mes të tjerash se “forca e tij u tkurr në dobësi”.
Edhe zëdhënësi i fushatës së zotit Trump, Steven Cheung i mohoi këto pohime të martën, duke thënë se zoti Kelly “e kishte bërë veten qesharak duke përhapur këto histori të sajuara”. Pas deklaratës së Nënpresidentes Harris, ai e akuzoi se po përhapte “ gënjeshtra dhe sajesa”.
Chris Sununu, guvernatori republikan i Nju Hemshërit dhe dikur një kritik i zotit Trump, tha se komentet e zotit Kelly nuk ndikonin në planet e tij për të votuar ish-Presidentin. “Kemi dëgjuar shumë gjëra ekstreme për zotin Trump. Dhe kjo është është në vazhdën e kësaj. Fatkeqësisht, me një person si ai, është si një ndërhyrje në zgjedhje, në këtë pikë”.
Disa nga mbështeëtësit e ish presidentit në shtetet kyçe reaguan me indiferencë ndaj komenteve të zotit Kelly.“ Trumpi udhëhoqi 4 vjet dhe ishim shumë mirë. Kelly nuk tha asnjë fjalë të mirë për Trumpin”, tha Jim Lytner, një mbrojtës i të drejtave të veteranëve në Nevada, që ishte pjesë e ushtrisë në Vietnam. Ai shtoi se qëndrimet e gjeneralit Kelly nuk duhen të merren parasysh.
Zonja Harris tha të mërkurën se zoti Trump adhuronte gjeneralët e Hitlerit sepse “ai nuk do një ushtri që i qëndron besnike kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, por një ushtri që i qëndron besnik atij. Ai do një ushtri që t’I qëndrojë atij besnik personalisht”.
Sondazhet tregojnë se gara mes dy kandidatëve është e ngushtë në shtetet që do të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe si zoti Trump ashtu edhe Nënpresidentja Kamala Harris po bëjnë fushatë intensive për të bërë për vete votuesit e pavendosur.
Fushata e zonjës Harris ka bërë përpjekje të konsiderueshme për tërhequr votuesit e pavarur, duke përdorur mbështetjen e republikanëve si ish-ligjvënësja Liz Cheney dhe komente si ato të Gjeneralit Kelly.
Ekipi i fushatës së zonjës Harris mbajti një konferencë telefonike me gazetarët të martën për të nxjerrë në pah zërat e zyrtarëve ushtarakë në pension, të cilët theksuan se shumë prej zyrtarëve që kanë punuar me zotim Trump, tani e kundërshtojnë fushatën e tij.
“Njerëzit që e njohin më mirë, e kundërshtojnë më me forcë një presidencë të tij,” tha Gjenerali në pension, Steve Anderson.
Në intervistën e tij me gazetën New York Times, Gjeneral Kelly tha se zoti Trump përmbushte përkufizimin e një fashisti. Ai citoi përkufizimin për fashizmin si “një ideologji dhe lëvizje politike autoritare, ultranacionaliste e ekstremit të djathtë, e karakterizuar nga një udhëheqës diktatorial”. Zoti Kelly shtoi se Trump “pa dyshim bie brenda përkufizimit të përgjithshëm të një fashisti”.
Zoti Kelly shtoi se ish-Presidenti Trump shpesh indinjohej nga çdo përpjekje për të kufizuar pushtetin e tij dhe se “ai do të donte të ishte” diktator. “Ai sigurisht preferon qasjen e një diktatori ndaj qeverisjes,” tha zoti Kelly për ‘The New York Times’.
Gjen. Kelly nuk është ish-zyrtari i parë i lartë i administratës së zotit Trump që e ka cilësuar ish-presidentin si kërcënim. Gjenerali në pension Mark A. Milley, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjatë adminstratës së ish-Presidentit Trump i tha gazetarit Bob Woodward për librin e tij të fundit “Lufta” se zoti Trump ishte “fashist deri në palcë” dhe “personi më i rrezikshëm për këtë vend”.
Ndërsa gjenerali në pension Jim Mattis, i cili punoi si Sekretar i Mbrojtjes nën zotin Trump, thuhet se i kishte thënë gazetarit Woodward se ishte dakord me vlerësimin e Gjen. Milley.
Gjatë gjithë ngritjes së tij politike, ish-Presidenti Trump ka gëzuar mbështetjen e veteranëve. Sipas një anketimi të agjencisë së lajmeve Associated Press dhe qendërs së sondazheve Norc, AP VoteCast, rreth 6 në 10 veteranë ushtarakë thanë se votuan për të në vitin 2020, ashtu si edhe më shumë se gjysma e atyre që kishin një veteran në familje.