Vendosni fjalën kyçe....

Konsumi po rritet, por mbledhja e TVSH-së në raport me PBB-në po ulet


Tatimi mbi Vlerën e Shtuar përveçse është furnizuesi kryesor i buxhetit me të ardhura, është matësi kryesor i qarkullimit në ekonomi.

Vitin e kaluar, PBB-ja e vendit u rrit me 3,94% dhe konsumi i popullatës shënoi rritje me 4.9%, por të ardhurat nga TVSH-ja në raport me PBB-në ishin në nivelin më të ulët të tre viteve të fundit sipas të dhënave nga Ministria e Financave.

Në vitin 2023, të ardhurat nga TVSH-ja ishin 8.3% e PBB-së, niveli më i ulët që nga viti 2019. Madje edhe në vitin 2020, kur konsumi ishte me rënie 5.6%, të ardhurat nga TVSH në raport me PBB ishin 8.7%, një nivel më i lartë se më 2023.

Ekonomia e vendit po rritet më shpejt se kapacitetet e qeverisë për të mbledhur tatime dhe taksa. Grumbullimi i të ardhurave në raport të drejtë me rritjen ekonomike siguron rishpërndarjen e vlerës së shtuar në më shumë infrastrukturë publike, të tilla si më shumë rrugë, shkolla dhe shërbime spitalore. Gjithashtu shton mundësitë për të ulur varfërinë duke rritur pagesat për pensionet dhe mbrojtjen sociale.

Zhvillimet e viteve të fundit tregojnë se rritja ekonomike po zhvillohet në informalitet, pasi raporti i të ardhurave me PBB-në nuk po përparon. Informaliteti në turizëm mbetet i lartë. Nga ana tjetër, një nga sektorët që po jep kontributin kryesor në rritjen ekonomike është ndërtimi, zgjerimi i të cilit nuk jep ndikim direkt në konsumin e popullatës.

Në nëntëmujorin e këtij viti, të ardhurat buxhetore kanë shënuar rritje vjetore rreth 10.7%, ndërsa të ardhurat nga TVSH shënuan rritje në vlerë më 10%. Por nëse parashikimi për rritjen ekonomike këtë vit përmbushet në nivelin 4%, sërish të ardhurat nga TVSH në raport me PBB-në nuk pritet të kapin ritmet e rritjes ekonomike.

Vendet e zhvilluara kanë norma më të ulëta të TVSH-së se 20%, por sërish arrijnë të kenë rezultate më të mira në raport me PBB-në e tyre për grumbullimin e tatimit deri në mbi 14 % të PBB-së.

Jo vetëm TVSH-ja, por edhe tatimet dhe taksat e tjera kanë një përkeqësim të grumbullimit në raport me PBB-në.

Sipas INSTAT, në vitin 2018, PBB-ja, në vlerë arriti në 1,6 trilionë lekë, ndërsa taksat ndaj këtij prodhimi ishin 253 milionë lekë, ose 15.7% e tij.

Në vitin 2023, PBB-ja arriti mbi 2,3 trilionë lekë, teksa taksat ndaj tij arritën në 337 miliardë lekë, ose 14.22% e prodhimit. Përqindja e taksave të mbledhura ndaj prodhimit në vitin 2023 pësoi ulje me 1 pikë për qind në krahasim me vitin 2018.

Gjatë 2018-2023, viti më i mirë ishte 2021, kur u taksua 16.03% e vlerës së prodhimit, ndërsa viti më i dobët ishte 2020 kur u taksua vetëm 13.4% e PBB-së./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor