Vendosni fjalën kyçe....

Macron-Netanyahut: Qytetërimi nuk mbrohet duke mbjellë barbarizëm


Presidenti francez Emmanuel Macron nisi të enjten një konferencë ndërkombëtare njëditore mbi Libanin, duke njoftuar 100 miliardë euro ndihmë humanitare dhe duke paralajmëruar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, se “qytetërimi nuk mbrohet më së miri duke mbjellë barbarizëm vetë”.

Ai gjithashtu u zotua të ndihmojë në trajnimin e 6,000 forcave zyrtare libaneze shtesë, ndërsa bëri thirrje për një armëpushim dhe fundin e sulmeve izraelite ndaj paqeruajtësve të OKB-së, për të cilat ai tha se nuk kishte asnjë justifikim.

Synimet e dyfishta të konferencës së presidentit francez në Paris janë të lehtësojë vuajtjet humanitare në Liban dhe të forcojë institucionet shtetërore libaneze, përfshirë ushtrinë zyrtare, shkruan The Guardian.

Në fjalën e tij hyrëse, Marcon tha gjithashtu se ishte një çështje keqardhje që Irani, mbështetës i grupit Hezbollah, kishte “angazhuar Hezbollahun kundër Izraelit, ndërsa interesi më i lartë i Libanit ishte që ai të qëndronte larg luftës së Gazës”.

Franca shpreson të mbledhë 460 milionë euro në konferencë, më shumë se objektivi i fundit i OKB-së prej 400 milionë euro.

Me fjalët drejtuar Netanyahut, me të cilin marrëdhënia e tij është përkeqësuar keq, ai tha: “Ditët e fundit kemi folur shumë për një luftë qytetërimesh apo për qytetërime që duhen mbrojtur. Nuk jam i sigurt se ne mbrojmë qytetërim duke mbjellë vetë barbarizëm”.

Macron iu referua një deklarate të Netanyahut, i cili kishte thënë në radion Europe 1 të mërkurën se “është një luftë qytetërimesh kundër barbarisë; ne jemi në ballë të kësaj lufte dhe Franca duhet të mbështesë Izraelin.”

Ndërkaq, Macron sot tha: “Unë jam i sigurt për një gjë, se mundësia e një qytetërimi është në rrezik në Liban, domethënë mundësia që gratë dhe burrat të cilët kanë origjinë të ndryshme, fetë e të cilëve janë të ndryshme, të ndajnë të njëjtin territor dhe të jetojnë për të njëjtin projekt”.

“Lufta duhet të përfundojë sa më parë. Duhet të ketë një armëpushim në Liban. Më shumë dëme, më shumë viktima, më shumë sulme as nuk do t’i japin fund terrorizmit dhe as nuk do të garantojnë sigurinë e të gjithëve”.