Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vijuar vizitën e tij zyrtare në Parlamentin Europian, ku deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi u takuan me eurodeputetin Marco Tarquinio, Kryetar i Komitetit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri.
Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po kërcënon të ardhmen europiane të Shqipërisë, duke theksuar se informimi me fakte mbi situatën e rëndë në vend është e vetmja mënyrë për të çliruar Shqipërinë nga një qeverisje e kriminalizuar dhe e korruptuar.
Gjatë takimit, deputetët e PD-së informuan Tarquinion për qëndrimin e tyre për mbledhjen e javës së ardhshme të SAPC në Tiranë, duke theksuar rëndësinë e reformave për garantimin e zgjedhjeve të lira, luftën kundër krimit të organizuar dhe shkëputjen e lidhjeve mes qeverisë dhe krimit.
REAGIMI I PLOTË
Vizita në Parlamentin Europian ishte një mundësi edhe për t’u njohur dhe për t’i uruar suksese në detyrën e re eurodeputetit Marco TARQUINIO, Kryetar i Komitetit të Stabilizim Asociimit BE- Shqipëri dhe përfaqësues i grupit parlamentar “Progressive Alliance of Socialists and Democrats”.
Informimi me fakte e prova për situatën e rëndë që po kalon Shqipëria, është e vetmja mënyrë për të ndihmuar për të çliruar Shqipërinë nga një qeverisje e kriminalizuar dhe e korruptuar, që synon asgjësimin e opozitës përmes burgosjes politike të liderit të saj, apo kërcënimin e çdo kundërshtari politik që i shërben interesit publik dhe denoncon korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Kryetarin Tarquinio e informuam paraprakisht edhe për qëndrimin tonë për mbledhjen e javës së ardhshme të SAPC në Tiranë, ku opozita do të marrë pjesë, me propozime konkrete që ndihmojnë Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane.
Shqipëria europiane është projekti i çdo shqiptari të ndershëm dhe kjo kërkon angazhimin e cilitdo për t’i dhënë fund keqqeverisjes 12-vjeçare së Edi Ramës, si dhe ndërmarrjen e reformave të nevojshme që garantojnë zgjedhjet e lira e të ndershme, luftën efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe shkëputjen e lidhjeve mes Qeverisë dhe krimit të organizuar.