Vendosni fjalën kyçe....

Plani i Rritjes për Ballkanin pritet t’i sjellë 882.6 milionë euro Kosovës


Kosova do të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin. Mbi 250 milionë euro, do të ndahen si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për Samitin e Procesit të Berlinit që u mbajt më 14 tetor në Berlin.

Kurti u shpreh se Republika e Kosovës është angazhuar që 10 vjet për procesin e Berlinit në mënyrë që atë ta kurorëzojmë suksesshëm siç edhe bëmë.

Kurti u shpreh se Procesi i Berlinit ka afruar vendet e rajonit me njëra tjetrën dhe të gjitha së bashku me Bashkimin Evropian.

“Në Berlin kemi nënshkruar marrëveshjen e pestë në tri samitet e këtij procesi, ndërkohë që paralajmëruam vendimin për ti dhënë fund pritjes gati dy vjeçare që Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime të nënshkruar po ashtu në Berlin, duke u mundësuar kështu qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës që të udhëtojnë me letërnjoftime në Kosovë nga 1 janari 2025”.

Kurti theksoi se në këtë samit u nënshkrua deklarata për Tregun e Përbashkët Rajonal 2024-2028, si dhe një plan veprimi që do të sjellë 882.6 milionë euro për zhvillimin e Kosovës.

“Marrëveshja e re për qasje në arsimim e lartë dhe pranimin për të studiuar në Ballkanin Perëndimor, është vazhdimësi e marrëveshjes së njohjes reciproke të diplomave për institucionet e arsimit të lartë. Nënshkruam deklaratën për Tregun e Përbashkët Rajonal 2024-2028 dhe miratuam planin e ri të veprimit që është shtyllë e planit të rritjes për Ballkanin nga i cili Republika jonë përfiton 882.6 milionë euro. Doli të jetë një proces i suksesshëm i cili ka afruar vendet e rajonit me njëra-tjetrën dhe të gjitha së bashku me BE-në. Kemi nënshkruar marrëveshjen e pestë në tri samitet e këtij procesi, ndërkohë paralajmëruam vendimin për t’i dhënë fund pritjes gati dyvjeçare që Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime të nënshkruara poashtu në Berlin më 3 nëntor të vitit 2022 duke ua mundësuar kështu qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës që të udhëtojnë me letërnjoftime në drejtim të Kosovës nga 1 janari i vitit të ardhshëm”.

Ai shtoi se veprimet e këtij plani janë të orientuara drejt avancimit të katër lirive, krijimi i mjedisit të favorshëm për biznese, zhvillimit të kapitalit njerëzor, digjitalizimit dhe inovacionit.

Kryeministri përmendi edhe nënshkrimin e tri marrëveshjeve tjera: Deklaratën mbi Rikonfirmimin e Marrëdhënieve të Fqinjësisë së mirë dhe Bashkëpunimit Rajonal, Deklaratën mbi Standardet Rajonale të Ekzaminimit të Investimeve të Huaja Direkte në Ballkanin Perëndimor dhe Deklaratën mbi Aneksin dhe Bashkëpunimin në Infrastrukturën e Kërkimit dhe Inovacionit.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor do të mbulojë periudhën midis vitit 2024 dhe 2027.

Plani i Rritjes arrin shumën prej gjashtë miliardë euro për vendet e rajonit. Nga kjo shumë, dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë euro janë në formë kredie me këste shumë të favorshme.

Në deklaratën e lëshuar nga Këshilli i BE-së, theksohet se qëllimi kryesor është mbështetja për harmonizimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së, me qëllim të anëtarësimin e ardhshëm në BE, si dhe integrimin progresiv të tyre në një treg të vetëm evropian, si dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në.

Për të marrë mbështetje në kuadër të këtyre instrumenteve, vendet e rajonit duhet të përgatisin një agjendë reformash, duke theksuar reformat që planifikojnë të ndërmarrin për të arritur qëllimet.

Nga shuma totale, dy miliardë euro do të shpërndahen si grante dhe pjesa e mbetur, katër miliardë euro, në formë kredie me interesa të favorshme. Përllogaritet se Serbia do të marrë 1.58 miliardë euro, Bosnja dhe Hercegovina 969 milionë, Shqipëria 922 milionë, Kosova 882 milionë, Maqedonia e Veriut 807 milionë dhe Mali i Zi 383.5 milionë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor

https://monitor.al/plani-i-rritjes-per-ballkanin-pritet-ti-sjelle-882-6-milione-euro-kosoves/