Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria miraton rregulloren për plazhet private, prioritet i jepet hoteleve


Këshilli i Ministrave ka miratuar rregulloren për kriteret për përdorimin e hapësirës së plazheve nga subjektet private.

Prioritet për stacione plazhi do të kenë vetëm strukturat akomoduese, pra hotelet e vijës së parë të bregdetit, si dhe ato që ndodhen afër saj. Rregullorja ka hyrë në fuqi në Fletoren Zyrtare.

Subjektet që do të lejohen të përdorin hapësirat ranore si plazhe private sezonin e ardhshëm turistik do të duhet të përmbushin një sërë kushtesh për plazhet private.

Kushti kryesor është që duhet të jenë struktura akomoduese të regjistruara dhe kategorizuara. Aplikimet do të bëhen në e-Albania dhe gjithçka do të bëhet në bashkëpunim me njësitë vendore, të cilat do të kenë edhe hartat specifike të hapësirave të disponueshme.

Kriteri që do të duhet të respektojnë Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore në hartëzimin e hapësirave publike parashikon që në çdo 1000 metra vijë lineare, 300 metra të jenë vijë lineare plazh.

Rregullorja vjen edhe me një ndarje të saktë të hapësirës brenda stacioneve të plazhit ku çadrat dhe ndenjëset e pushuesve të respektojnë distancën prej të paktën 10 m nga vija e bregut të detit/liqenit; hapësira prej 2.5 m përpara brezit të parë të çadrave të jetë e lirë për t’u shfrytëzuar nga publiku; hapësira midis çadrave nuk duhet të jetë më e vogël se 3.

Me rregulloren e re parashikohet ndër të tjera që çdo stacion të ketë në hapësirë të dedikuar për personat me aftësi të kufizuar, shërbim të ndihmës së shpejtë, dushe me ujë të ëmbël si dhe të jetë i pajisur me të gjitha shërbimet higjienike.