Mashtroi një vajzë se do t’i siguronte vizë angleze, arrestohet 34-vjeçari në Durrës


Policia ka arrestuar Leonard Allushi, një 34-vjeçar nga Tirana, i akuzuar për mashtrim. Ai kishte marrë 3000 euro nga një vajzë 25-vjeçare, duke i premtuar sigurimin e një vize angleze.

Pas kallëzimit të bërë më 21 tetor, policia e Durrësit e ndaloi Allushin, i cili ishte shpallur në kërkim. Gjatë kontrollit, janë sekuestruar 3000 euro, një automjet dhe një celular.

Njoftimi i policisë:

I mori 3000 euro një shtetaseje, duke e mashtruar se do t’i siguronte vizë angleze, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari.

Sekuestrohen shuma 3000 euro, një automjet dhe një celular.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë ndaluar shtetasin L. A., 34 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim, pasi më datë 21.10.2024, ka kallëzuar një shtetase 25 vjeçe se në muajin shtator, 34-vjeçari i ka marrë 3000 euro, duke e mashtruar se do t’i siguronte vizë angleze.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi”.