Vendosni fjalën kyçe....

Rregullat e tregut të energjisë, gati ndryshimet, kushtet e reja për detyrimet dhe dëmet


Rregullat e tregut të energjisë pritet të ndryshojnë për t’ju përshtatur sa më mirë realitetit shqiptar ku tashmë Bursa e Energjisë po operon prej rreth dy vitesh.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) publikoi së fundmi një dokument ku paraqiten saktësisht të gjitha ndryshimet që propozohen të aplikohen në kuadrin aktual dhe që lidhen me elementë të ndryshëm të cilat do të jenë në konsultim publik.

Konkretisht ndryshimet kanë të bëjnë me saktësime dhe specifikime sa i takon dëmshpërblimeve dhe mbajtjes së kostove në rast mospërmbushje të detyrimeve nga palët që janë pjesë e tregut të energjisë.

Për shembull në pikën e parë saktësohet se “Anëtari i Bursës do të jetë në kushtet e Mospërmbushjes së Detyrimeve kur është në shkelje të ndonjërës nga dispozitat e këtyre Rregullave të Tregut të Energjisë Elektrike, Procedurave ose Marrëveshjes për Anëtarësim në Bursë dhe përfshin pa kufizim dështimin për të paguar ose mospagimit e një shume parash tek Personat për t’u Dëmshpërblyer sipas parashikimeve të seksionit G.3.2 ose shkeljen e një ose më shumë dispozitave të Sjelljes në Kapitullin D”.

Në raport me pikën aktuale ka një saktësim që shton personat për tu dëmshpërblyer dhe seksionin.

Lidhur me udhërporositë e dërguara në ALPEX nga Anëtarët e Bursës janë të paktën tetë kërkesa që duhet të përfshihen ku shtohen përveç kërkesave aktuale edhe çmimet për të shitur ose blerë energji.

Po kështu përcaktohet se me përfundimin e Kohës së Mbylljes së Portës së Ankandit, të gjitha Urdhërporositë e pranuara të blerjes dhe shitjes mblidhen nga Libri i Urdhërporosive dhe më pas algoritmi llogarit balancimin e energjisë elektrike të tregtuar, sasitë e pranuara të Urdhërporosive të Blerjes dhe Shitjes dhe çmimin klerues në çdo Ankand. Aktualisht çmimi që kërkohet në këtë rast është ai balancues në çdo ankand.

Në disa raste janë fshirë paragrafë nga rregullat për shkak të përmbajtjes jokorrekte duke e bërë tashmë atë më të qartë.

Në një rast tjetër është bërë përmirësim i fjalisë për të reflektuar praktikën teknike të punës. Për shembull lidhur me këtë të fundit është propozuar “Anëtarët e Bursës pranojnë se, në rastin e Segmentit të tregut në Bashkimin e Tregjeve, përpara se ALPEX-i të publikojë rezultatet e Ankandit, një Operator i Sistemit të Transmetimit të Zonës së bashkuar të Ofertimit mund:”.

Lidhur me mos përmbushjen e detyrimeve është bërë gjithashtu përmirësim i kuptueshmërisë së fjalisë. Propozimi që është bërë në dokument nënvizon “ Mos përmbushja e detyrimeve të Anëtarit të Bursës në lidhje me tregtimet e tij në ALPEX, si rezultat i zbatimit të masave nga autoritetet gjyqësore ose administrative ndaj Anëtarit të Bursës ose kryerja e parregullt e operacioneve në Tregjet e ALPEX-it për shkak të zbatimit të këtyre masave do të sjellin përgjegjësi të prerë mbi baza objektive për një Anëtar Burse. Në mënyrë që të adresohen rrethanat e mësipërme, masat përkatëse merren ndaj Anëtarit, në zbatim të dispozitave të Rregullave të Tregut të Energjisë Elektrike”.

Në të paktën 41 faqe ndryshimesh përveç përmirësimeve janë shtuar referenca dhe përkufizime të munguara për ta bërë kuadrin sa më të përshtatshëm për aktualitetin në vend. /N.Maho

VINI RE: Ky material është promësi intelektuale e Monitor