Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet një shtëpi e vogël me afreske erotike në Pompein antik


Një shtëpi e vogël me afreske erotike është zbuluar në rrënojat e qytetit antik të Pompeit, një zbulim që hedh dritë mbi stilet arkitekturore të shekullit të parë të erës sonë dhe tregon shijen e banorëve për artin sensual.

Shtëpia, e quajtur “Shtëpia e Fedrës” sipas mbretëreshës mitologjike të Athinës, përmban piktura murale me ngjyra të gjalla, përfshirë një skenë intime midis një satiro dhe një nimfe, dhe një tjetër ku shfaqet Fedra gjysmë e veshur me djalin e saj njerkë, Hipolitin.

Sipas legjendës greke, Fedra akuzoi Hipolitin për përdhunim pasi ai refuzoi përparimet e saj.

Afreske të tjera përfshijnë perënditë, të cilët mendohet të jenë Venus dhe Adonis.

Megjithëse shtëpia është e vogël, arkeologët e parkut të Pompeit e përshkruan atë si të jashtëzakonshme për nivelin e lartë të dekorimeve në muret e saj, krahasuar me ato të gjetura në shtëpitë më luksoze, përcjell The Guardian.

Ndryshe nga shumica e shtëpive të Pompeit, të cilat janë ndërtuar rreth një atriumi qendror – një oborr me pishinë për mbledhjen e ujit të shiut – kjo shtëpi ka një ndërtim jo tradicional për arkitekturën romake të periudhës.

Skena të ngjashme sensuale janë gjetur edhe në hapësira publike dhe private të Pompeit, duke mos u konsideruar si skandaloze apo të sikletshme.

Një nga afresket më mbresëlënëse, që përmban një penis të madh, është zbuluar në shtëpinë e njohur si “Shtëpia e Vettive”, pronë e dy burrave të çliruar nga skllavëria.

Ky afresk paraqet Priapin, perëndinë e pjellorisë dhe bollëkut, me një penis të madh mbi një peshore, pranë një çante me monedha që simbolizon pasurinë e tyre të grumbulluar.

Arti që përshkruan skena homoerotike është gjithashtu gjetur në Pompein antik, si statuja në “Shtëpinë e Byzylykut të Artë,” një nga shtëpitë më të pasura, që paraqet një djalë të ri i cili, përveç shërbimit gjatë banketeve, shërbente dhe në mënyrë intime për të zotin e shtëpisë.