Vendosni fjalën kyçe....

Kombet arabe dënojnë sulmet izraelite ndaj Iranit


Vendet anembanë Lindjes së Mesme, përfshirë Irakun, Omanin, Emiratet e Bashkuar Arabe, Jordaninë dhe Katarin, kanë dënuar sulmet ajrore izraelite gjatë natës së kaluar në territorin iranian, transmeton Anadolu.

Ministria e Punëve të Jashtme e Omanit shprehu “dënimin dhe denoncimin e fuqishëm” ndaj sulmeve, duke i quajtur ato një “shkelje të hapur të sovranitetit të Iranit dhe një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar”.

Nga atje paralajmëruan se sulmet “ushqejnë një cikël dhune dhe minojnë përpjekjet drejt de-përshkallëzimit dhe të kontrollit të krizës përmes mjeteve paqësore dhe diplomatike”.

Omani kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të ndërmarrë “veprime efektive për të ndalur këtë agresion”.

Katari, nga ana e tij, shprehu dënimin dhe denoncimin e fuqishëm për vënien në shënjestër të Iranit nga Izraeli, duke i cilësuar sulmet “një shkelje të hapur të sovranitetit të Iranit dhe një shkelje të qartë të parimeve të së drejtës ndërkombëtare”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit shprehu “shqetësim të thellë në lidhje me pasojat serioze që mund të rezultojnë nga ky përshkallëzim” dhe kërkoi nga të gjitha palët e interesuara të “ushtrojnë përmbajtje, të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut dhe mjeteve paqësore dhe të shmangin çdo gjë që mund të de-stabilizojë sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme e Jordanisë gjithashtu dënoi sulmet ajrore izraelite në territorin izraelit, me zëdhënësin e ministrisë, Sufyan Qudah, i cili përsëriti “refuzimin absolut të mbretërisë për përshkallëzimin e rrezikshëm në rajon dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar”.

Qudah i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të përmbushë përgjegjësitë dhe të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të imponuar ndërprerjen e agresionit izraelit ndaj Gazës, Bregut Perëndimor dhe Libanit, si hapi i parë drejt de-përshkallëzimit”.

 

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Iraku

Gjithashtu edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite shprehu “dënimin dhe denoncimin e fuqishëm për sulmin izraelit”, duke e quajtur atë një “shkelje të sovranitetit të Teheranit dhe një shkelje të ligjeve dhe normave ndërkombëtare”.

Mbretëria saudite theksoi “qëndrimin e qëndrueshëm kundër përshkallëzimit dhe zgjerimit të vazhdueshëm të konfliktit”, duke u bërë thirrje “të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale dhe të ulin tensionet”.

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe lëshoi gjithashtu një thirrje për përmbajtje, duke theksuar “rëndësinë e ushtrimit të vetë-përmbajtjes dhe gjykimit maksimal për të zbutur rreziqet dhe për të parandaluar zgjerimin e shkallës së konfliktit”.

Emiratet e Bashkuara Arabe ripohuan se “rritja e dialogut, respektimi i ligjit ndërkombëtar dhe respektimi i sovranitetit të vendeve” janë kritike për adresimin e tensioneve aktuale dhe se “mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me mjete diplomatike dhe jo me konfrontim dhe përshkallëzim”.

Në Irak, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ahmed Al-Awadi, dënoi “agresionin sionist ndaj Iranit” dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Iraku përsëriti qëndrimin e tij kundër çdo veprimi që mund të provokojë paqëndrueshmërinë e mëtejshme në rajon.

Të paktën dy ushtarë iranianë u vranë gjatë natën së kaluar si pasojë e sulmit ndaj objekteve ushtarake iraniane nga ushtria izraelite, i cili erdhi në përgjigje të sulmit me raketa balistike në shkallë të gjerë të Iranit në Izrael më 1 tetor.

Shtëpia e Bardhë tha se sulmet e Izraelit duhet t’u japin fund shkëmbimeve të drejtpërdrejta të zjarrit midis dy palëve, duke paralajmëruar Teheranin për “pasoja” nëse ai përgjigjet.

Zyrtarët ushtarak iranianë më herët kishin paralajmëruar se çdo sulm nga Izraeli do të përballej me një “përgjigje më të ashpër”.