Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Rritja e pensioneve me 20 lekë në ditë është qesharake


Deputetja e PD, Jorida Tabaku e ka konsideruar qesharake rritjen pensioneve, sipas saj me vetëm 20 lekë në ditë, ndërsa shpehet se është një përpjekje e dështuar për të mbuluar rënien e fuqisë blerëse dhe sfidat ekonomike të 700 mijë pensionistëve në Shqipëri.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku thekson se një pensionist në Shqipëri merr mesatarisht 131 euro në muaj, shumë më pak se fqinjët tanë në rajon dhe në Bashkimin Europian, ku pensionet janë pothuajse dyfish më të larta.

“Pensionet shqiptare nuk arrijnë të mbulojnë as nevojat më themelore të jetesë dhe kjo është një padrejtësi e madhe që po ju bëhet një brezi që ka dhënë gjithçka për këtë vend,” deklaroi ajo.

Sipas saj, rritja e pagave dhe pensioneve nuk duhet të jetë thjesht një manovër propagande e qeverisë. Politikat aktuale fiskale dhe ekonomike favorizojnë një pakicë të privilegjuar, duke varfëruar shumicën e qytetarëve.

“Një skemë e dështuar pensioni, si kjo e miratuar në 2014-2015, nuk mund të sjellë të ardhura të dinjitetshme për qytetarët tanë në moshën e tretë,” përfundoi Tabaku.

Tabaku shtoi se dështimi i skemës së pensioneve është drejtpërdrejtë i lidhur me dështimin e ekonomisë së vendit, duke shtuar se rritja fiktive e pagave dhe politika e formalizimit të detyruar kanë krijuar një iluzion të zhvillimit ekonomik, por në realitet kanë përkeqësuar situatën. Bizneset detyrohen të rrisin pagat pa ndonjë rritje reale të produktivitetit, çka ka çuar në shtimin e informalitetit dhe mbylljen e shumë bizneseve të vogla. Kjo ka dobësuar më tej bazën e kontribuuesve të skemës së pensioneve, duke e bërë atë edhe më të paqëndrueshme.

Për më tepër, rritja e pagës minimale, thekson ajo, është përdorur si një mjet propagandistik për të treguar një përmirësim të kushteve ekonomike, por në realitet kjo nuk ka sjellë përfitime reale për qytetarët. Sipas Tabakut, Rritja e detyruar e pagës minimale ka rritur vetëm shpenzimet e biznesit dhe ka detyruar shumë prej tyre të reduktojnë numrin e të punësuarve, duke shtuar papunësinë dhe pasigurinë ekonomike.