Vendosni fjalën kyçe....

Von der Leyen sot në Kosovë


Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të takohet me krerët shtetërorë të Kosovës më 26 tetor.

Mëngjesin e së shtunës, Von der Leyen do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe pas takimit do të ketë një konferencë për media.

Po ashtu, presidentja e KE-së gjatë qëndrimit në Kosovë do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.

Vizita e zyrtares evropiane në Prishtinë është në kuadër të një turneu ballkanik që ajo nisi më 23 tetor në Shqipëri. Pas Shqipërisë, ajo qëndroi në Maqedoni të Veriut, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi.

Në Serbi, ajo u takua vetëm me presidentin Aleksandar Vuçiq, teksa anuloi takimin me kryeministrin serb, Millosh Vuçeviq.

Zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer, tha për Radion Evropa e Lirë se arsyeja e anulimit ishte se Vuçeviq po të njëjtën ditë ishte takuar me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kritikuar Serbinë për lidhjet e ngushta me Kremlinin, teksa Moska po vazhdon luftën kundër Ukrainës. Beogradi po ashtu nuk pranon të rreshtohet përkah BE-së, sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës kundër Ukrainës.

Ndryshe, sipas KE-së, gjatë vizitës në rajon Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që Bashkimi Evropian po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.

Më herët, Bashkimi Evropian i miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes. Më pas agjendat u votuan edhe nga KE-ja, me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës.

Plani i Rritjes është në vlerë të përgjithshme prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat, 2 miliardë do të jenë para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në formë të kredive të favorshme.

Krahasuar për kokë banori, Kosova do të jetë përfituesja më e madhe nga kjo paketë, pasi shteti do të përfitojë më shumë se 820 milionë euro.

Von der Leyen përmbyll turneun ballkanik më 26 tetor në Mal të Zi./REL