Vendosni fjalën kyçe....

Partia proruse fiton zgjedhjet në Gjeorgji, partitë properëndimore ankohen për “vjedhje të zgjedhjeve”


Partia proruse, Ëndrra Gjeorgjiane, pritet të zgjerojë kontrollin e saj në Parlament, sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 26 tetor. Rezultatet janë të ndryshme nga sondazhet, gjë që ka nxitur partitë opozitare properëndimore të akuzojnë për “vjedhje të zgjedhjeve”.

Ëndrra Gjeorgjiane që udhëhiqet nga miliarderi Bidzina Ivanishvili,, fitoi mbi 54 për qind të votave, me më shumë se 99 për qind të votave të numëruara në qarqe. Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, katër parti opozitare kanë kaluar pragun prej 5 për qind dhe kanë siguruar ulëse në Parlament, përcjell REL.

Forcat opozitare – Koalicioni për Ndryshim, Uniteti – Për të shpëtuar Gjeorgjinë, Gjeorgjia e Fortë dhe për Gjeorgjinë – kanë fituar mbi 37 për qind të votave, marrë së bashku.

Duke nxitur edhe më shumë kundërshtimin e opozitës pas mbajtjes së zgjedhjeve, sondazhet e kryera në emër të organizatave proqeveritare dhe opozitare treguan rezultate dukshëm më ndryshe se ato të paraqitura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas sondazhit të realizuar nga TV Imedi proqeveritare, Ëndrra Gjeorgjiane ka fituar 56 për qind të votave, ndërkaq në dy sondazhe të realizuara nga opozita, kjo parti nuk ka fituar më shumë se 42 për qind të votave.

Rezultati përfundimtar pritet të publikohet të dielën.

Sipas rezultateve preliminare, Ëndrra Gjeorgjiane do të ketë 89 ulëse në Parlamentin prej 150 vendesh. Ky numër është i mjaftueshëm që partia të formojë Qeverinë, por nuk është i mjaftueshëm që subjekti të ketë shumicë absolute në mënyrë që të bëjë ndryshime kushtetuese.

Lëvizja e Bashkuar Kombëtare (ENM), që udhëheqë koalicionin Uniteti – Për të shpëtuar Gjeorgjinë, menjëherë refuzoi rezultatet e publikuara nga autoritetet zgjedhore shtetërore.

“Në emër të Lëvizjes së Bashkuar Kombëtare iu njoftojmë se nuk do të pranojmë rezultatin e zgjedhjeve të vjedhura dhe nuk kemi ndërmend të njohim rezultatin e këtyre zgjedhjeve të vjedhura”, tha kryetarja e partisë, Tina Bokuchava, më 27 tetor.

Ajo u bëri thirrje edhe partive të tjera opozitare që të mos e pranojnë rezultatin, duke shtuar se “protesta të mëdha” ka të ngjarë që të organizohen më vonë gjatë ditës.

Mamuka Khazaradze, udhëheqësi i Gjeorgjia e Fortë, tha se opozita ka fituar zgjedhjet, që ishin vendimtare për të ardhmen e shtetit drejt BE-së.

“Urime për mposhtjen e Qeverisë ruse në Gjeorgji”, deklaroi ai pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Nika Gvaramia, anëtar i Koalicionit për Ndryshim, tha se koalicioni i tij nuk do të njohë rezultatin e raportuar, duke e cilësuar procesin zgjedhor si “grusht shteti”.

Për herë të parë, Gjeorgjia përdori në këto zgjedhje sistemin elektronik të numërimit të votave, duke mundësuar daljen më të shpejtë të rezultateve. Komisioni tha se sistemi kishte disa defekte të vogla.

Dalja në zgjedhje ishte pothuajse 59 për qind, tha Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pjesëmarrja më e lartë në procesin zgjedhor që nga viti 2012, kur Ëndrra Gjeorgjiane fitoi pushtetin.

Nga frika e protestave në rrugë, kryetari i Tbilisit, Kakha Kaladzem anëtar i Ëndrrës Gjeorgjiane, e paralajmëroi opozitën se çdo veprim “i paligjshëm” do të “përballet me reagim të ashpër nga shteti”.

Presidentja Salome Zurabishvili, e cila është distancuar nga partia në pushtet dhe mbështet lëvizjet e protestave antiqeveritare, shkroi në rrjetet sociale se partitë opozitare të “Gjeorgjisë Evropiane” po “fitojnë me 52 për qind të votave, pavarësisht përpjekjeve për mashtrime zgjedhore dhe pa votat nga diaspora”.

Megjithatë, Ivanishvili, ish-kryeministër i Gjeorgjisë i cili ka themeluar Ëndrrën Gjeorgjiane, i përgëzoi mbështetësit pas publikimit të sondazhit të Imedi TV.

“Është e rrallë për çdo parti kudo në botë që të arrijë një sukses të tillë në një situatë të vështirë. Ju siguroj se shteti do të shënojë suksese të mëdha në katër vitet e ardhshme. Në katër vjet mund të bëhet shumë dhe në katër vjetët e tjera, Gjeorgjia do të jetë një nga shtetet më të suksesshme në botë”, tha ai.

Votimet ishin të rëndësishme për shtetin që ka fituar pavarësinë nga Moska tri dekada më parë.

Ëndrra Gjeorgjiane i kishte përshkruar votimet si zgjedhje mes paqes apo luftës, duke argumentuar se nëse opozita fiton, ajo do ta tërheqë Gjeorgjinë në luftë kundër Rusisë. Dy shtetet kishin zhvilluar një luftë të shkurtër gushtin e vitit 2008, luftë që çimentoi kontrollin rus mbi një pjesë të territorit të Gjeorgjisë.

Ndërkaq, opozita i kishte portretizuar votimet e 26 tetorit si zgjedhje mes Perëndimit dhe Rusisë, mes demokracisë dhe autoritarizmit, një narrativë që është përmendur edhe nga zyrtarët në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, të cilët e kanë kritikuar Ëndrrën Gjeorgjiane për kthim prapa të demokracisë.

Tensionet ishin të larta para zgjedhjeve, teksa Ëndrra Gjeorgjiane pretendoi se Perëndimi po ndërhynte në zgjedhje dhe opozita e akuzoi Rusinë për përhapje të dezinformatave.

Së fundi, Ëndrra Gjeorgjiane ka miratuar disa ligje që kanë nxitur reagimin e Perëndimit.

Në mesin e ligjeve kundërthënëse që Ëndrra Gjeorgjiane ka miratuar është ligji që u kërkon grupeve që pranojnë 20 për qind apo më shumë të financimit të tyre nga jashtë, të regjistrohen si “agjentë të huaj”.

Kundërshtarët e kanë cilësuar këtë si “ligj rus”, duke thënë se legjislacioni është inspiruar nga ligje të ngjashme që përdoren në Rusi për të shtypur disidencën.

Miratimi i ligjit më herët gjatë këtij viti nxiti protesta masive dhe shtyri SHBA-në të vendosë sanksione ndaj disa gjeorgjianëve dhe kërcënoi me ndërprerjen e ndihmës për Tbilisin.

BE-ja ka thënë se mund të vendosë për anulim të përkohshëm të regjimit pa viza me Gjeorgjinë, nëse zgjedhjet “nuk janë të lira dhe të drejta”.

Ëndrra Gjeorgjiane po ashtu ka miratuar një ligj tjetër që kufizon të drejtat e komunitetit LGBT.