Policia e Shtetit ka bërë me dije rezultatet mbi një substancë në formë tableti në ngjyrë jeshile të gjetur në një shkollë në Yzberisht më datë 25.10.2024.
Sipas analizave në laboratorin e toksikologjisë në ISHP është arritur në përfundim se nuk ka prani të lëndëve psikotrope por përbërje të Vitaminës E.
Fillimisht y dyshua se kjo tabletë përgjumte fëmijët.
“Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e premte, më datë 25.10.2024, për një substancë në formë tableti, në ngjyrë jeshile, që dyshohet se përgjum fëmijët, ju njoftojmë se:
Në vijim të kontrolleve të ushtuara, në një shkollë në Yzberisht është sekuestruar një tabletë në ngjyrë jeshile dhe nga analizat përkatëse në sektorin e toksikologjisë pranë ISHP, është arritur në përfundimin që nuk ka prani të ndonjë lënde psikotrope dhe rezulton të ketë në përbërje vitaminë E.
Pavarsisht këtij rezultati të nxjerrë, strukturat e Policisë do të vazhdojnë kontrollin dhe monitorimin në të gjitha shkollat”-njofton policia.