Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, dhe drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në prag të protestës së planifikuar të opozitës.
Protesta synon bllokimin e disa akseve kryesore në të gjithë vendin për të shprehur mosmarrëveshjen me qeverinë aktuale.
Sipas planit të protestës, akset që do të bllokohen përfshijnë: Tiranë–Durrës, pranë mbikalimit të Kamzës; Durrës–Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit; Kashar–Milot, pranë kryqëzimit të Milotit; Elbasan–Tiranë, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; Durrës–Fier, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës; dhe Levan–Tepelenë, te rrethrrotullimi i Levanit.
“Nesër paralajmëroj Edi Ramën: mos ndërsejë bastardin e familjes Hoxha, ish-gjobëvënësin, krye-gjobvënësin e Policisë Rrugore, përfaqësuesin e bandave të rrezikshme të Durrësit, dhe më parë të Tiranës, Ervin Hoxhën.
Mos guxo të ndërsesh narko-komisarin e implikuar në aktet më të rënda kriminale me bandat, Ilir Prodën kundër protestuesve, sepse përgjigja do të jetë lemeritëse për ju.
Bllokimi i rrugëve, protesta, mosbindja civile e opozitës është kushtrimi që burojnë nga thellësia e shpirtit të çdo qytetari të këtij vendi për t’u ndarë sa më shpejt nga ky regjim.
Të dashur miq, beteja që fillon nesër është një betejë në vazhdim. Bllokimi i Edi Ramës në Surrel do të jetë edhe kjo në agjendën e mosbindjes civile. Po, po.
Edi Rama, qytetarët janë të revoltuar me ty, janë të zemëruar, janë të gatshëm të të nxjerrin prej hundësh gjithçka ke vjedhur këto vite pushteti”-tha Berisha.